Armend Zemaj: Në qeverinë e LDK-së është respektuar marrëveshja me britanikët

Emisioni i fundit ‘Drejtësia në Kosovë’ i titulluar “Kulaçi i PAN-it” foli për skandalet dhe punësimet partiake në bordet e ndërmarrjeve publike dhe agjencive të pavarura në Kosovë.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, tha se ka qenë LDK-ja që ka vlerësuar se duhet që të ketë memorandum bashkëpunimi me Ambasadën Britanike për punësimet e tilla.

“Ka vërejtje dhe pikërisht në bazë edhe të disa vërejtjeve ka ndodhë një vullnet që të ketë një memorandum mirëkuptimi me palën tash implementuese të këtij projekti siç është Ambasada Britanike por në kohën kur ka qenë LDK (në qeveri) nuk ka pasë vërejtje nga ta në përzgjedhjen e individëve edhe në borde edhe në agjenci sepse ka qenë konform asaj politike”, tha Zemaj.

“Tash kemi një situatë krejt tjetër me të njëjtit njerëz me të njëjtit projekt kemi reagime të shumta nga ta se ky memorandum nuk po respektohet dhe aty po vazhdojnë të shkojnë njerëz që janë të politizuar dhe joprofesionalë dhe ky është shqetësimi ynë të cilin po e theksojmë”, ka thënë deputeti Zemaj.

Emisioni ‘Drejtësia në Kosovë” kishte provuar të flasë edhe me disa deputetë të koalicionit qeveritar por ata nuk kishin pranuar të flasin.

Deklaratën e deputetit Zemaj dhe emisionin e plotë të ‘Drejtësisë në Kosovë’ mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm.