Foto: Kallxo.com

Armend Zemaj, deputeti që udhëtoi më së shumti jashtë vendit

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka publikuar listën e dhjetë deputetëve të cilët kanë udhëtuar më së shumti jashtë vendit.

Kjo listë është hartuar në bazë të raporteve financiare për gjashtë muajt e parë të vitit 2018 (periudha janar – qershor), të cilat i ka publikuar Kuvendi i Kosovës.

Aty shihet se deputetët kanë realizuar gjithsej 210 udhëtime jashtë vendit, udhëtime këto që buxhetit të shteti i kanë kushtuar në total 172,616.41 euro.

Në bazë të këtij raporti del se nga 120 deputetët, prej tyre 78 kanë realizuar udhëtime jashtë vendit përderisa 42 prej tyre për këtë periudhë kohore nuk kanë udhëtuar asnjëherë jashtë vendit.

Numri më i madh i këtyre vizitave janë në vendet kontinentit të Europës (198), me përjashtim të 11 vizitave në kontinentin e Amerikës dhe 1 vizitë në kontinentin e Azisë.

Kurse vendet më të vizituara nga deputetët janë Shqipëria me 40 vizita, pastaj Franca me 30, dhe Belgjika me 17 vizita.

Dhjetë deputetët me numrin më të madh të udhëtimeve në bazë të raporteve financiare janë Armend Zemaj, i cili ka udhëtuar dhjetë herë jashtë vendit.

Kuletës së shtetit udhëtimet e Zemajt i kanë kushtuar 6 mijë e 632 euro e 42 centë.

Pas tij vjen deputetja e PDK-së, Blerta Deliu – Kodra, e cila ka udhëtuar nëntë herë jashtë vendit.

Ajo ka shpenzuar 5 mijë e 266 euro e 7 centë.

Pastaj, Fikrim Damka ka realizuar shtatë udhëtime, e që totali i shpenzimeve për këto udhëtime ka qenë 2 mijë e 472 euro e 42 centë.

E i pari i Kuvendit, Kadri Veseli ka udhëtuar shtatë herë dhe buxhetit të Kosovës udhëtimet e tij i kanë kushtuar 2 mijë e 984 euro e 4 centë.

Pastaj vjen Aida Dërguti, e cila ka udhëtuar po ashtu shtatë herë jashtë vendit. Udhëtimet e saj kanë kushtuar 6 mijë e 330 euro e 84 centë.

Xhavit Haliti ka realizuar gjashtë fluturime, të cilat i kanë kushtuar 5 mijë e 550 euro e 81 centë, kurse deputetja Mufera Shinik gjithashtu ka udhëtuar gjashtë herë jashtë vendit, duke shpenzuar nga buxheti i shtetit 3 mijë e 707 euro e 61 centë.

Pas saj vjen Vjosa Osmani – Sadriu, e cila ka realizuar pesë udhëtime e që totali i shpenzimeve për këto udhëtime është 3 mijë e 258 euro e 98 centë, mandej Time Kadrijaj me pesë udhëtime që buxhetit i kanë kushtuar 2 mijë e 680 euro e 96 centë, Teuta Haxhiu ka shpenzuar vetëm 970 euro e 20 centë në pesë udhëtimet zyrtare të saj.

Në totalin e shpenzimeve nuk janë përfshirë edhe shpenzimet për bileta të udhëtimit për secilin deputetët pasi që në raportin financiar të Kuvendit të Kosovës nuk është e specifikuar kategoria e shpenzimeve për bileta.