Armët e gjetura | Foto: Policia e shtetit

Armë të ndryshkura gjenden në një gropë gëlqereje

Një arsenal armësh që tashmë janë ndryshkur është zbuluar në një gropë gëlqereje në Gramsh të Shqipërisë.

Policia e shtetit shqiptar njofton se në këtë gropë ka gjetur 18 armë zjarri dhe 80 kuti me municion të dëmtuara nga lagështia.

“Shtetasi B.K,62 vjeç, banues në lagjen ‘Sporti’ Gramsh, ka njoftuar Sallën Operative të Komisariatit të Policisë Gramsh, se duke pastruar gropën e gëlqeres në ish – Gadrën e qytetit Gramshit, pronë e tij, ka ka konstatuar disa kaseta me fishekë”, thuhet në njoftimin e Policisë shqiptare.

Policia bën me dije se gropa u pastrua nga forcat xheniere të ushtrisë.

Në gropë, sipas policisë, u gjetën dhe sekuestruan 18 pushkë të modelit 56 me kalibër 7.62 milimetra dhe 80 copë kaseta me fishekë të këtij modeli të pushkës.

Policia tregoi se pushkët ishin të ndryshkura, ndërsa municioni i dëmtuar nga lagështia.