Ndarja e Z-Mobile dhe Telekomi i Kosovës Grafika: Krenar Ferizi

ARKEP: Po e presim vendimin e Telekomit për kontratën me Z-Mobile

Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare ende nuk ka marrë ndonjë vendim zyrtar nga Telekomi i Kosovës për atë se çfarë do të ndodhë me kontratën me Z Mobile.

Sot, më 30 korrik shënohet fundi i kontratës 10 vjeçare në mes të Telekomit dhe kompanisë Dardafone.net (Z Mobile).

Këto të dyja kanë qenë tash e një kohë në negociata lidhur me vazhdimin ose jo të kontratës, ndërsa para disa javëve, kryeshefi i Telekomit, Bedri Istrefi tha se kontrata nuk do të vazhdohet.

Vendim zyrtar lidhur me këtë çështje nuk është publikuar deri më tani.

ARKEP po ashtu ka deklaruar se nuk kanë marrë ndonjë njoftim zyrtar për këtë çështje.

“Ju njoftoj se jemi në pritje të vendimit zyrtar të Telekomit te Kosovës lidhur me raportin me Z Mobile”, shkroi Kreshnik Gashi, kryetari i bordit të ARKEP.

Ai shtoi se do të mundohet të sigurojnë vazhdimësi për konsumatorët e këtyre operatorëve.

“Ndërhyrja e ARKEP para hyrjes në fuqi të çfarëdo vendimi të Telekomit të Kosovës do të ishte ndërhyrje ne procesin e raportit komercial, por objektiv i yni mbetet sigurimi i vazhdimësisë së shërbimit për konsumatorët”, shkroi ai.

Ngjajshëm kishte deklaruar për KALLXO.com, muajin e kaluar, kur ishte pyetur lidhur me atë se çfarë do të ndodhë me numrat që tani i ka në shfrytëzim Z Mobile.

ARKEP po ashtu ka bërë të ditur se u ka vazhduar edhe për 20 vitet e ardhshme përdorimin e resurseve frekuencore, Telekomit të Kosovës dhe IPKO-s.

Sot në orën 16, Telekomi ka paralajmëruar konferencë për çështjen e kontratës me Z Mobile.

Çfarë ndodh me numrat e ‘Z-Mobile’ pas shkëputjes së kontratës nga Telekomi?