Shefi i ekipit negociator, Avni Arifi, raporton para Komisionit për Punë të Jashtme - Foto: KALLXO.com

Arifi: Shumë Shpejt Qeveria Fillon Dialogun me Qytetarët për Asociacionin

Shefi i ekipit negociator të Kosovës në bisedimet e Brukselit me Serbinë, Avni Arifi, tha sot se vendimin për themelimin e Asociacionit e merr Qeveria e Kosovës.

“Besoj që shumë shpejt do të fillojë procesi i dialogut me qytetarët sepse pas vendimit të gjykatës është vështirë të diskutohet kjo çështje”, tha Arifi para Komisionit për Punë të Jashtme, kryetarja e të cilit, Vjosa Osmani, e përgëzoi atë që e mbajti fjalën se pas çdo takimi në Bruksel do të raportojë para Komisionit.

Marrëveshja për Asociacionin duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, shtoi Arifi.

Ai theksoi se nuk i takon Qeverisë të fillojë draftimin e Asociacionit, sepse, sipas tij, ky është një proces që do komunikim sepse moskomunikimi ka sjell në 22 shkelje të vërtetuara në Gjykatën Kushtetuese.

Arifi tha se nuk po e vazhdojnë dialogun por po përpiqen ta përfundojnë.

“Ne nuk kemi ndryshuar nga viti 2015 dhe 2016 nga ajo që kemi protestuar. Mospajtimet tona i ka konfirmuar Gjykata Kushtetuese. Ne nuk kemi biseduar asgjë qe del jashtë marrëveshjes. Unë e kuptoj nevojën dhe dëshirën e palës serbe qe me dalë jashtë Marrëveshjes por ne nuk dalim”, theksoi para komisionit shefi i ekipit negociator Avni Arifi.

Arifi i quajti të vështira 3 ditët e bisedimeve në Bruksel.

Duke iu përgjigjur pyetjeve dhe komenteve të anëtarëve të Komisionit, Avni Arifi e pranoi se dialogu i Brukselit nuk është krejt teknik, por politik, siç, sipas tij, është rasti me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Nuk është njëjtë si tema e Asociacionit si ura në Mitrovicë. Ne e kemi gjetur gjendjen kështu… Është për t’u habitur sesi temat të kushtëzohen me temën e Asociacionit”, tha ai.