Avni Arifi | Foto: RTV 21

Arifi: Do të Insistojmë të Zbatohen Marrëveshjet Kosovë- Serbi

Shefi i ekipit negociator të Kosovës në dialogun me Serbinë, Avni Arifi, ka raportuar në Komisionin parlamentar për Punë të Jashtme lidhur me bisedimet ndërmjet dy vendeve.

Arifi ka thënë se në takimin e radhës, i cili do të mbahet në Bruksel më 26 shkurt, do të insistojnë në zbatueshmëri të marrëveshjeve.

“Orientimi jonë është t’i implementojmë marrëveshjet ekzistuese. Qëllimi i këtij dialogu është normalizimi i raporteve Kosovë Serbi. Normalizim nuk mund të ketë pa njohje reciproke”, tha Arifi.

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Zafir Berisha, tha se bisedimet më tepër janë politike sesa teknike. Ai tha se të gjitha marrëveshjet me Serbinë kanë pasur shkelje kushtetuese.

“Nëse mendoni se vetëm marrëveshja për asociacionin ka pasë shkelje kushtetuese unë them se gjitha marrëveshjet kanë qenë antikushtetuese”, tha ai duke shtuar se për të gjitha marrëveshjet duhet të kërkohen interpretime kushtetuese.

Kryetarja e Komisionit, Vjosa Osmani, ka pyetur Avni Arifin se nëse ai është duke e udhëhequr aspektin teknik të bisedimeve, atëherë kush është udhëheqës i aspektit politik.

“Edhe pse ju flisni për aspekt teknik në disa pika flitet për çështje politike siç është njohja reciproke. Nëse ju po e udhëhiqni aspektin teknik kush e udhëheq këtë proces në aspektin politik”, pyeti ajo.

Shefi i negociatave me Serbinë tha se këtë pyetje është mirë ta drejtojnë në Kuvend, pasi sipas tij nuk mund të jap përgjigje.