Qeveria e Kosovës | Foto: Zyra e Kryeministrit

Arben Gjukaj Raporton në Qeveri

Drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës Arben Gjukaj raportoi për gjendjen energjetike në vend para kabinetit qeveritar.

Gjukaj tregoi se sa thëngjill është nxjerrë që nga dje kur KEK-u ndezi ekskavatorët në Shipitullë.

“Dje nga mesdita kemi fillu me punu. Nga dje deri sot në mëngjes janë larguar diku rreth 25 mijë metra kub thëngjill”, tha Gjukaj.

Ai foli edhe për procesin e zhvendosjes nga Hadja dhe Shipitulla. Tha se ai do të përfundojë më 31 dhjetor 2017

“Kjo është një e arritur e vendit tonë, për shkak që banorët me vetëdëshirë largohen nga vendet e stërgjyshërve të tyre. Dje dhe sot kemi qenë në kontakt dhe ata kanë filluar të largojnë pasuritë e tyre dhe besoj që deri në fund të javës ata do t’i kryejnë këto punë”, tha Gjukaj.

Kryeministri Haradinaj e pyeti Gjukajn se sa para janë shpenzuar për importim të energjisë elektrike, por Gjukaj nuk i pati të dhënat e sakta për këtë gjë.

Për shpenzimet në lidhje me importin e energjisë u përgjigj ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka.

“Rreth 600 mijë deri 1 milion eruo në ditë kanë qenë shpenzimet e importit të energjisë elektrike, varësisht prej çmimit të energjisë”, tha Lluka.

Kryeministri Haradinaj e pyeti Arben Gjukajn se pse KEK-u nuk bashkëpunon me KEDS-in e KOSTT-in, e nuk mbahen takime të përbashkëta për të planifikuar punën.

Gjukaj kësaj iu përgjigj me masat që ka ndërmarrë KEK-u.

“Ne e kemi shpallë gjendje të jashtëzakonshme dhe i gjithë menaxhmenti përfshi edhe mua jemi në kujdestari 24 orëshe dhe ka ngritje të nivelit të sigurisë por edhe të raportimit”, tha Gjukaj.