Arban Abrashi, LDK - Foto: KALLXO.com

Arban Abrashi thyen heshtjen: Në përleshje ka pasur të infiltruar nga partitë tjera

Deputeti i LDK-së Arban Abrashi, ka thyer heshtjen sot pas mbledhjes së kryesisë së partisë lidhur me përleshjen e djeshme që ndodhi në Degën e 3-të të LDK-së në Prishtinë.

Abrashi, si i përmendur për kryetar të kësaj dege, ka fajësuar individë të partive të tjera politike për përleshjen e djeshme me karrige gjatë kuvendit zgjedhor.

“Aty kanë qenë të infiltruar disa të partive të tjera, i kemi parë edhe vet lajmin e një personi me karrige që si duket është i një partie tjetër dhe qekaq muj me thanë. Për Ferizaj nuk jam në ngjarje, tash po folim për qeta të djeshit. Qata e pash sot në media, ish i identifikun edhe me foto edhe me emër dhe s’kam çka komentoj më shumë”, ka thënë ai para gazetarëve.

Abrashi duke mos përmendur faktin se LDK-ja ka marr vendim që ta tërheq nga gara për kryetar të Degës së 3-të, tha se në mbledhjen e Kryesisë kanë diskutuar në përgjithësi për zhvillime dhe për procese, përfshirë edhe për incidentin e djeshëm/

“Duhet me i trajtu me më shumë maturi duhet më shumë ndërhyrje të Kryesie dhe me ec tutje. Duhet me i trajtu, me i shiku parregullësitë, ka problem edhe me anëtarët e partive të tjera të cilat po ndërhyjnë shkaku i mungesës së listës së anëtarësisë por janë sene që rregullohen”, u shpreh ai.

Sipas Abrashit, është tragjike ajo çka ka ndodhur dje në Prishtinë.

“Por po shihet që janë edhe  të tjerët të interesuar me dëmtu LDK-në, të partive të tjera, sot e keni parë në media me emër me mbiemër me karrige në dorë. Nuk besoj që është dikush kundër meje, më shumë ka njerëz që dëshirojmë me u kyç në LDK në këtë provës të zgjedhjeve të brendshme që është e mirë për demokracinë edhe unë gjithmonë ko me qenë zëri i arsyes që ko me ndihmu ata të rinjtë me u anëtarësu dhe me iu gjet hapësirë në LDK, kurgjo tjetër”, është shprehu ai.

Ndërkaq, pas incidentit të djeshëm të LDK-së në Degën III në Prishtinë, kryesia e kësaj partie ka përjashtuar nga gara për të parin e kësaj dege Arban Abrashin dhe Hazir Borovcin.