Konferenca e GSJP-së - Foto: KALLXO.com

Apostolova: Zbatimi i MSA-së Varet nga Puna e Kuvendit

Shefja e Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë Nataliya Apostolova ka thënë se zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit varet nga reformat që kalojnë në Kuvendin e Kosovës.

Këtë deklaratë Apostolova e bëri gjatë prezantimit të studimit krahasues të Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GSJP) për ndikimin e MSA-së.

“Kuvendi i Kosovës nuk e ka mbajtur as edhe një mbledhje formale. Kam qenë e zëshme për këtë çështje dhe do të takohem sa më parë që është e mundur me kryetarin e Kuvendit në mënyrë që t’i ngrisim shqetësimet të cilat i kemi sepse reformat e nevojshme janë të rëndësishme dhe këto reforma kanë nevojë të kalojnë në Kuvend”, tha ajo.

Shefja e Zyrës së BE-së dha shembuj të përfitimeve të mundshme të Kosovës pas zbatimit të MSA-së.

Ajo deklaroi se do të rriten mundësitë e kosovarëve për të eksportuar produktet e tyre.

Përveç tjerash theksoi rritjen e punësimit dhe përmirësimin e kushteve të punës dhe respektimin e rregullave të konkurrencës dhe pronësisë intelektuale.

Ndërkaq ministrja e Integrimeve Europiane, Dhurata Hoxha, premtoi se Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit do të jetë “baza e reformave” të cilat do të bëhen.

Hoxha shtoi se do të formohet një modalitet që do ta rrisë përfshirjen e shoqërisë civile për të dhënë rekomandime në zbatimin e MSA-së.

Kosova e ka nënshkruar këtë marrëveshje më 22 tetor 2015.

Sfida kryesore e MSA-së, sipas Albana Mejras nga GSJP, është sundimi i ligjit.

Çka është MSA-ja?