Fushata kundër emigrimit ilegal | Foto: KALLXO.com

Apostolova: Të Rinjtë ta Shohin Jetën e Tyre në Kosovë

Natalya Apostolova, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë gjatë lansimit të fushatës vetëdijesuese kundër emigrimit tha se të rinjtë kosovarë duhet të jetojnë në vendin e tyre.

“Kjo kampanjë ka për qëllim që qytetarëve të Kosovës t’u japë informata se Kosova është vend i qytetarëve, se të rinjtë duhet ta shohin jetën në Kosovë e jo jashtë”, tha Apostolova.

Në fund të vitit 2014 dhe fillim të 2015-ës mijëra kosovarë lëshuan vendin duke udhëtuar nëpër Serbi drejt Hungarisë në kërkim të depërtimit në shtetet e fuqishme evropiane.

Këtë emigrim gjatë lansimit të fushatës kundër kësaj dukurie, e kujtoi ministri Skender Hyseni.

“Republika jonë e re në fund të vitit 2014 dhe 6 muajt e parë të vitit 2016 u gjet para një shpërthimi të migrimit të paligjshëm drejt vendeve të Bashkimit Evropian”, tha Hyseni.

Ai tregoi se në bashkëpunim me EUROPOL-in atëherë u arrestuan 77 persona të dyshuar për trafikim të njerëzve drejt shteteve të BE-së.

Në atë kohë në kufirin mes Hungarisë e Serbisë vdiq Ali Fetahu nga Ferizaj, famil;jen e të cilit e vizitoi për ngushëllime edh ish-Presidentja Jahjaga.

http://kallxo.com/jahjaga-i-shkon-per-vizite-dhe-ngushellon-familjen-fetahu/

Në atë kohë Jahjaga e nisi një fushatë takimi me qytetarët për t’i bindur ata që të mos dalin jashtë vendit.

http://kallxo.com/jahjaga-ikja-nga-kosova-nuk-eshte-zgjidhje/

Ambasadorja e Holandës Gerrie Willems, shteti i së cilës është pjesë e fushatës vetëdijesuese kundër emigrimit, tha se qytetarët duhet të dinë se çfarë i pret nëse migrojnë ilegalisht.

“Informimi i publikut është vendimtar, qytetarët kanë të drejtë të dinë se ku rrugëton ky vend dhe cilat janë rreziqet nëse bëjnë diçka të parregullt”, tha Willems.

Ambasadorja u bëri thirrje autoriteteve kosovare që të hapin vende pune dhe të shtojnë kualitetin e arsimimit.

“I inkurajoj institucionet e Kosovës të vazhdojnë qe t’u sjellin punë dhe edukim me të mirë qytetarëve të Kosovës”, tha Willems.

Projekti vetëdijesues kundër emigrimit ilegal përveç nga Holanda mbështetet edhe nga Suedia e Austria në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme.