
Foto: Zyra e BE-së në Kosovë
Apostolova kundër rektorëve, mbështet Agjencinë e Akreditimit
Shefja e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova, është takuar sot me anëtarët e Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), konkretisht me Këshillin Shtetëror të Cilësisë (KShC), i cili sipas saj, po bën ‘përpjekje të jashtëzakonshme për të siguruar cilësi në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë’.
Apostolova pas takimit ka deklaruar se zotimi i anëtarëve të KShC-së është mbresëlënës dhe duhet të shërbejë si shembull.
“Bashkimi Evropian shpreh keqardhje për reagimet e disa drejtuesve të universiteteve publike kundër vendimeve të pavarura të Agjencisë. Vendimet e tilla ende nuk janë finalizuar dhe disa prej tyre mund të shqyrtohen më tej nga Komisioni i Ankesave.”, ka deklaruar ajo.
Sipas shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë, politika duhet të rrijë larg punës së agjencive të pavarura dhe se pikërisht ndërhyrja e tyre rezultoi me përjashtimin e AAK-së nga Regjistri Evropian i Sigurimit të Cilësisë, si dhe ka vënë në pikëpyetje anëtarësimin e saj në Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë.
https://kallxo.com/orca-realiteti-i-paraqitur-nga-konferenca-e-rektoreve-eshte-i-shtremberuar/
Ajo theksoi se këto veprime kanë pasoja të rënda për studentët e Kosovës sepse dëmtojnë aftësinë e tyre për të ndjekur studime ose për të kërkuar punë jashtë vendit.
“BE-ja përgjatë viteve ka investuar shumë në reforma në arsim në Kosovë, politikisht dhe financiarisht, për të ndihmuar në sigurimin e arsimit cilësor për të rinjtë e Kosovës. Përcaktimi i Agjencisë së Akreditimit të Kosovës për ta zbatuar këtë në praktikë është një inkurajim për Bashkimin Evropian që të rrisë angazhimin në këtë sektor.”, ka thënë tutje Apostolova.
Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë gjithashtu u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës dhe partive politike që të mbështesin plotësisht punën e vazhdueshme të reformave në arsim.
https://kallxo.com/rektoret-para-komisionit-per-arsim-ne-excel-pame-vetem-ngjyren-e-kuqe/
“Agjencia e Akreditimit e Kosovës dhe puna e tyre për të siguruar arsim cilësor për qytetarët e rinj të tyre, është gjithashtu vendimtare dhe kërkon mbështetje politike.”, deklaroi Apostolova pas takimit me AKA-në.
KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi rreth këtyre zhvillimeve që nga mbledhja e KShC-së.
https://kallxo.com/dokument-kshc-iu-pergjigjet-rektoreve-nuk-i-plotesuat-kriteret/
https://kallxo.com/universitetet-publike-kerkojne-shkarkimin-e-anetareve-te-kshc-se-dhe-riakreditimin-e-programeve-te-kaluara/
https://kallxo.com/terhiqet-akreditimi-i-74-programeve-ne-universitete/