Apostolova kritikon sjelljen e sigurimit të PDK-së ndaj shoqërisë civile

Shefja e Zyrës së Bashkimi Europian në Kosovë Nataliya Apostolova ka reaguar ndaj incidentit të sotëm i cili ndodhi afër selisë së PDK-së, ku sigurimi i kësaj partie e pengoi shoqërinë civile në marshin e tyre kundër Projektligjit për financimin e partive politike.

Sipas Apostolovës skena të tilla janë për keqardhje sepse protesta është një nga të drejtat themelore.

“Skena për keqardhje në një protestë paqësore sot në Prishtinë. Liria e tubimit dhe e shprehjes janë  drejtat themelore demokratike, të cilat duhet të garantohen dhe të mbrohen në çdo kohë. Kërkim falja është e mirëpritur, por skena të tilla nuk kanë vend në një demokraci”, ka shkruar Apostolova në Twitter.

Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur keqardhje për incidentin e ndodhur sot në oborrin e selisë së saj.

Përmes një komunikate për media të lëshuar nga kjo parti thuhet që e gjitha kjo situatë ka qenë një keqkuptim.

“Pjesëtarët e sigurimit të PDK-së kanë reaguar në bazë të detyrës që kanë, pasi që paraprakisht nuk kanë qenë të informuar për një aktivitet të tillë, kështu duke krijuar keqkuptimin që turma e mbledhur para selisë kishte qëllime tjera e jo zhvillimin e një aktiviteti nga shoqëria civile”, thuhet në komunikatë.

Gjatë ditës së sotme marshi i shoqërisë civile drejt gjashtë partive parlamentare për ta kundërshtuar Projektligjin për financimin e partive politike, ka përfunduar me incident në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës.

Kjo pasi sigurimi i PDK-së nuk pranonte që aktivistët e shoqërisë civile të futën në oborrin e kësaj partie dhe të ngjisnin mesazhet e marshit.