Publikimi i Raportit të Progresit nga zyrtarët më të lartë të BE-së - Foto: KALLXO.com

Apostolova: Kosova Nuk Ka Pasur Përparim Siç Kemi Pritur

Shefja e Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka bërë përmbledhjen e Raportit të Progresit për Kosovën, i publikuar paraprakisht nga zyrtarët më të lartë të BE-së.

Sipas saj, Komisioni Europian konfirmon perspektivën europiane të Kosovës.

Raporti ofron dy lloj analiza, për përparimin e Kosovës në krahasim me raportin e kaluar dhe përafrimin e Kosovës me legjislacionin e BE së.

Sipas Apostolovas, Raporti vlerëson se zgjedhjet lokale dhe konfliktet mes partive kanë shkaktuar ngecje në punët e Kuvendit dhe Qeverisë.

“Disa rekomandime të raportit të vitit 2016 vetëm janë vazhduar edhe në këtë raport. Nuk ka pasur përparim siç kemi pritur. Fuqimisht themi se presim që të adresohen rekomandimet. Kosova ka forcuar kornizën ligjore për azilin, migrimin”, shtoi ajo.

Misioni ynë i ekspertëve, tha shefja e Zyrës së BE-së, do të vazhdojë me vlerësimin e zhvillimeve të reja për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ajo tha se ka pasur disa përmirësime në legjislacion, por se korrupsioni dhe krimi i organizuar është ende endemik në Kosovë.

Raporti i Progresit thekson shqetësimet në lidhje me disa aktgjykime.

“Sa i përket reformës në administratë, raporti sheh përmirësim nga raporti i vitit 2016. Është bërë punë e mirë për të bërë një pako legjislative për pagat në administratën publike. Kemi vënë re disa emërime dhe shkarkime në agjenci të pavarura që nuk bazohen në merita por janë politike. BE ka insistuar që emërimet e tilla të bazohen në merita”, theksoi Apostolova.

Lidhur me ekonominë Kosova ka bërë përparim të madh, thekson Raporti i Progresit.

Veteranët e luftës vazhdojnë të jenë sfidë për financat publike.

Më pas, Apostolova ka folur rreth kapitujve ku nuk ka fare përparim: Arsimi, mjedisi dhe ndryshimet klimatike.

“Mbeten probleme të mëdha mjedisore që nuk adresohen dhe janë problem për shëndetin e njeriut. Mbetjet e rrezikshme vazhdojnë të përbëjnë rrezik për njerëzit, ndotja e ajrit, shfrytëzimi i thëngjillit nga ekonomitë familjare”, theksoi Apostolova.