Konferenca në lidhje me barazinë gjinore | Foto: KALLXO.com

Apostolova Kërkon më Shumë Gra në Krye të Institucioneve

Në prezantimin e raportit në lidhje me pjesëmarrjen e grave në vendimmarrje, shefja e Zyrës së BE-së Natalya Apostolova kërkoi më shumë gra në krye të institucioneve.

Apostolova tha se duhet të ketë më shumë shembuj në jetën publike kosovare si ai i ish-Presidentes Jahjaga.

“Ne nuk jemi shumë shtete në Evropë që kanë pasur një presidente femër, kështu që Kosova duhet të jetë shumë krenare për këtë. Dua të shoh më shumë shembuj të tillë në Kosovë në jetën publike,” tha Apostolova.

Raporti i përgatitur nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore konstatoi se nuk po zbatohet Ligji për barazi Gjinore nga ana e institucioneve qendrore dhe lokale.

Luljeta Demolli, drejtorja ekzekutive e kësaj qendreje, tha se postet e larat publike janë të rezervuara për burrat.

“Pavarësisht perceptimeve formale të liderëve politikë se nuk kanë preferenca gjinore, pozicionet vendimmarrëse në shumicën dërrmuese  të rasteve janë të rezervuara për burrat,  prandaj është e domosdoshme që qeveria dhe kuvendi, por edhe përfaqësues të Bashkimit Europian dhe vendet e tjera mike t’i inkurajojnë institucionet  për të bërë më shumë përpjekje në rritjen e përfaqësimit të grave në poste të rëndësishme,” tha Demolli.

Në raport u bë e ditur se në vitin 2016 numri i të punësuarave në qeveri ishte 40.6 për qind, ndërsa në komunat e Kosovës punësimi i grave ishte vetëm 28 për qind.

Sipas raportit, gratë ishin të nënpërfaqësuara edhe në Presidencë e Kuvend. 14 nga 32 pozita vitin e kaluar u udhëhoqën nga gratë në Presidencë, ndërsa në Kuvend gratë udhëhoqën vetëm 19 nga 52 pozita të larta.

Ministri i Administratës Publike Mahir Yagcilar tha se Kosova duhet të shtojë përpjekjet që të ketë më shumë gra në pozita udhëheqëse.

“Sot shtetet më  të forta dhe më të zhvilluara janë shtetet me përfaqësim të lartë dhe të barabartë të gjinisë femërore. Në këtë aspekt edhe ne si shtet i ri duhet të vazhdojmë me përpjekje për rritjen e pjesëmarrjes së grave në jetën politike dhe shoqërore dhe të zbatojmë ligjet tona të avancuara në këtë fushë,” tha Yagcilar.

Pardje kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci dha një shembull të mirë të barazisë gjinore, duke emëruar pesë gra në pozitat e drejtoreve të drejtorive komunale.

Lladrovci kështu realizoi premtimin që kishte dhënë në Emisionin “Jeta në Kosovë” më 15 dhjetor 2016 se gjysma e drejtorive gjatë qeverisjes së tij komunale ddo të drejtohen nga gratë.

Shembulli i Lladrovcit për Barazinë Gjinore

Redaktoi: Bekim Muhaxheri