Foto: Twitter/Nataliya Apostolova. 03.07.2019

Apostolova kërkon nga Finlanda që të punohet për të mirën e Kosovës

Pasi që Finlanda ka marrë kryesimin e Këshillit të BE-së për gjashtë muajt e ardhshëm, shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova ka kërkuar nga ky shtet që të punojnë për të mirën e njerëzve të Kosovës.

Këtë e ka bërë të ditur vet Apostolova përmes një postimi në profilin e saj në Twitter.

“Sundimi i ligjit, konkurrenca, përfshirja sociale, mjedisi dhe vlerat europiane janë në fokus të Bashkimit Europian dhe Këshillit të BE-së. Urime për Finlandën dhe Pia Stjernvall (ambasadore e Finlandës në Kosovë) për marrjen e presidencës së Këshillit të BE-së. Pres që të punojmë së bashku në këto prioritete për të mirën e njerëzve të Kosovës”, ka shkruar ajo.

Në të gjitha ministritë në 6 muajt e ardhshëm do të vendosin finlandezët se cilat do të jenë temat e ditës.

Kjo është hera e tretë që Finlanda, si vend anëtar i BE-së, kryeson Këshillin e BE-së.

Këshilli i BE-së është trup që bashkon ministrat e vendeve anëtarë dhe takohet sipas sferave të caktuara, që nga bujqësia e deri te çështjet e jashtme dhe të brendshme.

Finlanda ka marrë kryesimin e radhës të Këshillit të BE-së nga Rumania, ndërsa më 1 janar të vitit 2020 do t’ia dorëzojë atë Kroacisë.