Gjykata e Apelit, Prishtinë | Foto: Kallxo.com

Apeli Zgjidh mbi 10 Mijë Lëndë-11 Mijë i Mbesin

Në një njoftim të lëshuar nga zyrtari për informim i Gjykatës së Apelit, Arbër Jashari, thuhet se Gjykata e Apelit gjatë këtij viti pati në punë mbi 21 mijë lëndë, prej të cilave mbi 12 mijë janë të ardhura vetëm gjatë vitit 2016.

Shumica nga këto, afro 10 mijë janë lëndë të natyrës civile.  Pas lëndëve civile, në radhë për nga numri i lëndëve të trashëguara nga viti 2016, vijnë  Divizioni Penal me mbi 500 lëndë dhe Departamenti i Administrativ me mbi 300.

Më së paku raste të pakryera do mbesin në sirtarët e Departamentit për të Mitur , vetëm 3. Ndërsa pa asnjë rast të pakryer nga viti paraprak, punën do ta nisin gjyqtarët e Divizionit për  Kundërvajtje.

Në njoftimin e Apelit gjithashtu thuhet se për të zgjidhur numrin e lëndëve të mbetura duhen më shumë gjyqtarë nga 34 sa i ka aktualisht.

“ Gjykata e Apelit konsideron se për t’i realizuar objektivat e veta dhe pritjet e qytetarëve është e domosdoshme që të ketë se paku edhe 15 gjyqtarë, nga një zyrtar ligjor për secilin gjyqtar dhe nga një bashkëpunëtor profesional për çdo dy gjyqtarë,” thuhet në njoftimin e Apelit.

Gjithashtu në njoftim tërhiqet vërejtja se nëse nuk shtohet numri i gjyqtarëve në këtë institucion, numri i lëndëve të prapambetura do të rritet dhe gjendja do të bëhet edhe me e keqe, sidomos në Divizionin Civili, ku secili gjyqtar ka afro 700 lëndë.