Nga gjykimi për rrahjen mes deputetëve | Foto: KALLXO.com

Apeli Vërteton Pafajësinë e Deputetëve të VV-së

“Një kolegj penal prej tre gjyqtarësh i Gjykatës së Apelit, me 07.06.2016, e ka vërtetuar  aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë P.nr.4355/2012, të datës 25.04.2016,” thuhet në komunikatën e kësaj gjykate.

Në muajin qershor të vitit 2012 një debat në Kuvendin e Kosovës kishte eskaluar në një konflikt fizik në hollin e Kuvendit.

Prokuroria pretendonte se gjatë incidentit, deputetët e VV-së Rexhep Selimi, Visar Ymeri, Florim Krasniqi dhe shoferi Besart Bujupi e goditën me grushte deputetin e PDK-së Bekim Haxhiu.

Por më 25 prill Gjykata themelore në Prishtinë liroi deputetët e “Vetëvendosjes” Visar Ymeri e Rexhep Selimi nga akuza për lëndim të lehtë trupor, ndërsa e dënoi me 4 muaj burgim me kusht shoferin Besart Bujupi.

Në ditën e marrjes së këtij vendimi, deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu nuk ishte i kënaqur me të, ndërsa prokuroria ishte ankuar.

http://kallxo.com/bekim-haxhiu-pakenaqur-vendimin-akuzon-gjykaten/

Por në komunikatë, Gjykata e Apelit tregoi se ka refuzuar ankesën e prokurorisë.

“Gjykata e Apelit vlerësoi se ankesa e prokurorisë është e pabazuar, duke ardhur në përfundim se me aktgjykimin e ankimuar nuk janë bërë shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale, se gjendja faktike është vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë, si dhe nuk është shkelur  ligji  penal,” sqaroi komunikata.