Gani Geci

Apeli Vendosi për Gani Gecin në rastin e Vrasjes së Ruzhdi Shaqirit

Gjykata e Apelit e Kosovës e ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë të qershorit të këtij viti në rastin e vrasjes së Ruzhdi Shaqirit në gusht të vitit 2014.

Zëdhënësi i Gjykatës së Apelit, Arbër Jashari, konfirmoi për KALLXO.com se rasti është kthyer në rigjykim.

“Gjykata e Apelit gjen se aktgjykimi i shkallës së parë, përmban kundërthënie dhe paqartësi që janë aq të theksuara, sa e bëjnë atë konfuz, juridikisht të pa qëndrueshëm dhe të cilat paraqesin shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, nga neni 384 paragrafi 1 nënparagrafi 1.12 lidhur me nenin 370 të Kodit të Procedurës Penale”, tha Jashari.

Më 3 qershor, Gjykata Themelore në Mitrovicë i kishte shqiptuar Gani Gecit dënimin prej 4 vjet e 6 muaj burg në akuzat për vrasje dhe për përdorim armësh.

KALLXO.com e ka përcjellë në vazhdimësi procesin gjyqësor ndaj Gani Gecit.