Gjykata e Apelit - Foto: KALLXO.com

Apeli Vendos për Aktakuzën në Rastin e Sulmit kundër Kuvendit

Aktakuza ku të akuzuar për sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës janë Atdhe Arifi, Egzon Haliti, Adea Batusha dhe Frashër Krasniqi do të kalojë në shqyrtimin gjyqësor që nuk është caktuar ende.

Të katër të akuzuarit e këtij rasti ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e mbajtur më 28 shkurt të këtij viti ndërsa aktakuzën e kishin quajtur politike ndërsa kërkesat e tyre për hedhje të aktakuzës dhe pushim të procedurës ishin refuzuar nga Gjykata Themelore.

Lajmin për refuzimin e ankesave të mbrojtësve që kërkonin që aktakuza për sulmin në Kuvend të hidhej poshtë për KALLXO.com e konfirmoi Arbër Jashari, zëdhënës i Gjykatës së Apelit.

Ata dyshohen për sulmin me mjet shpërthyes kundër Kuvendit të Kosovës që ka ndodhur në mbrëmjen e 4 gushtit të vitit të kaluar.

Lidhur me sulmin në Kuvendin e Kosovës, përpos të akuzuarve të tanishëm, të akuzuar ishin edhe Petrit Ademi, ndaj të cilit pushuan hetimet, si dhe Astrit Dehari, i cili vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

KALLXO.com ka raportuar na vazhdimësi lidhur me këtë rast dhe raportet mund t’i gjeni në këtë link.

http://kallxo.com/aktivistet-e-vv-se-deklarohen-te-pafajshem-e-quajne-politike-aktakuzen/

http://kallxo.com/gjykata-se-hedh-aktakuzen-ne-rastin-e-aktivisteve-te-vv-se/