Nga një seancë e gjykimit të Menderes Sinanit | Foto: KALLXO.com

Apeli Shqyrton Dënimin e ish-Togerit Menderes Sinani

Gjykata e Apelit po shqyrton sot vendimin e gjykatës themelore në lidhje me dënimin e ish-togerit policor Menderes Sinani dhe lirimin e Vahid Tahirit.

Sinani ishte dënuar me 7 vjet burg në tetor të vitit të kaluar, ndërsa i ishte ndaluar ushtrimi i funksioneve publike për pesë vjet, derisa Vahid Tahiri atëherë ishte liruar.

Në Gjykatën e Apelit ndaj vendimit të themelores për Sinanin është ankuar mbrojtja e tij, ndërsa prokuroria ka paraqitur ankesë për shpalljen e pafajshme të Vahid Tahirit.

Sinani që drejtonte Njësitin Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore në Rajonin e Ferizajt, akuzohej nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për veprat penale shpërdorim i pozitës zyrtare, marrje e ryshfetit, ushtrim i ndikimit, shmangie nga pagesa e taksave të detyrueshme doganore, dhënie e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale, moslajmërim i veprave penale apo kryesve të tyre dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Ndërsa Vahid Tahiri akuzohej për shmangie nga tatimet doganore.

http://kallxo.com/denohet-ish-togeri-menderes-sinani/

KALLXO.com e kishte ndjekur vazhdimisht këtë proces gjyqësor që nisi në Gjykatën Themelore të Ferizajt, e u transferua pastaj në degën e saj në Kaçanik, për t’u zhvilluar pjesa kryesore e tij dhe shpallja e dënimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë.