Apeli Liron Zyrtarët e Akuzuar për Kamionin Zjarrfikës

Zyrtarët e Komunës së Drenasit Hyrije Xhemajli-Thaçi, Shyqyri Bublaku, Vehbi Jashari,  dhe drejtori i kompanisë “Agribau”, Naim Berisha kanë fituar pafajësinë në lidhje me blerjen e një kamioni për nevojat e zjarrfikësve, pasi Gjykata e Apelit ka hedhur poshtë aktakuzën ndaj tyre.

Lajmin për hedhjen poshtë të aktakuzës e konfirmoi për KALLXO.com Naim radari, avokati i Naim Berishës.

Në këtë proces gjyqësor avokatët e të akuzuarve në seancën e dytë kishin kundërshtuar aktakuzën, ndërsa pastaj kur Gjykata Themelore në Prishtinë e refuzoi këtë kundërshtim, avokatët u ankuan në Gjykatën e Apelit.

Hyrije Xhemajli-Thaçi, Shyqyri Bublaku, Vehbi Jashari akuzoheshin se në shtator të vitit 2015 në cilësinë e personave zyrtarë të Komunës së Drenasit e kanë shkelur nenin 81.2 të Ligjit mbi Prokurimin Publik, kur më 29 shtator 2015 kanë nënshkruar kontratën mes Komunës së Drenasit dhe kompanisë “Agribau”, drejtor i së cilës ishte i pandehuri Naim Berisha.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, të akuzuarit kanë bërë pagesën prej 110 mijë eurove ndërsa nuk e kanë pranuar mallin (kamionin) në kohën e duhur ashtu siç ishte kontraktuar.

Prokuroria pretendonte se të akuzuarit ishin në dijeni se kamioni nuk i plotësonte kriteret sipas kontratës  dhe se i njëjti ka qëndruar në pikën doganore të Hanit të Elezit, ku ishte ekzaminuar nga ekspertët dhe nga ku ka rezultuar se nuk i përmbushte kriteret e parapara me kontratë.

I akuzuari i katërt i këtij rasti, Naim Berisha, sipas aktakuzës u ka ndihmuar të akuzuarve të tjerë të këtij rasti në atë mënyrë që paraprakisht u ka premtuar fshehjen e përfitimit që do të rrjedhë nga kryerja e veprës penale duke mos e zbatuar kontratën e lidhur mes firmës së tij dhe Komunës së Drenasit.

Katër të akuzuarit më 13 prill u deklaruan të pafajshëm.

Zyrtarët e Komunës së Drenasit Dalin Para Gjyqit për Blerjen e Kamionit

Në shkurt të vitit të kaluar këta zyrtarë ishin ndaluar nga policia.

Zyrtarët e Drenasit ishin ndaluar nga policia në shkurt të vitit që shkoi.