FOTO - Nga seanca ndaj të akuzuarve për tregti me kallashnikovë. Foto: Kallxo.com

Apeli kthen në rivendosje rastin ndaj të akuzuarve për trafik me Kallashnikovë

Në qershorin e vitit 2017, në parkingun e një marketi në Klinë u zu një arsenal i madh armësh.

Atë ditë policia arrestoi katër persona dhe arriti të sekuestrojë 14 pushkë automatike të tipit  AK-47, dhe një anti tankë (zollë), me një projketil.

Sipas Prokurorisë armët e sekuestruara ishin destinuar për në vendet e Evropës me qëllim që të përdoreshin nga njerëzit për mbikëqyrjen e rrjetit të trafikantëve të drogës.

Lidhur me këto veprime në Kosovë ishin arrestuar katër persona Artan Kelmendi, Miftar Dobraj, Daniel Prendrecaj dhe Dren Mulla. Ndërsa në bashkëpunim me DEA-në Amerikane në SHBA ishte arrestuar edhe shoferi i konsullatës së Kosovës në New Yourk, Albert Veliu.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë për krim të organizuar ndaj Artan Kelmendit, Miftar Dobrajt, Daniel Prendrecajt, ndërsa Dren Mullën e kishte akuzuar për armë mbajtje pa leje.

Pas mbajtjes së gjykimit, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte eliminuar krimin e organizuar nga akuza dhe tre të akuzuarit i kishte shpallur fajtorë se në bashkëkryerje me Albert Veliun kishin kontrabanduar armë.

Miftar Dobraj, ishte dënuar me 7 mijë euro gjobë dhe 5 vjet e 6 muaj burgim.

Artan Kelmendi ishte dënuar me 5 mijë euro gjobë dhe 5 vite e dy muaj burgim për dy vepra penale.

Daniel Prendrecaj ishte dënuar me 2 vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë, ndërsa Dren Mulla ishte dënuar me 4 mijë euro gjobë për armë mbajtje pa leje.

Me ketë vendim nuk ishin pajtuar as Prokuroria e as mbrojtësit e të akuzuarve të cilët pas marrjes së aktgjykimit kishin parashtruar ankesa në Gjykatën e Apelit.

Duke vendosur sipas ankesave të palëve, Gjykata e Apelit ka gjetur se aktgjykimi i Themelores përmban shkelje esenciale të dispozitave të  procedurës penale me ç`rast ka vendosur që rastin ta kthej në pikën zero.

Apeli ka vlerësuar se dispozitivi i aktgjykimit është në kundërshtim me arsyetimin e tij.

Sipas Apelit gjykata e shkallës së parë nuk e ka arsyetuar kualifikimin e veprës penale në bashkëkryerje.

Në vendimin e Apelit thuhet se konstatimet e Gjykatës së shkallës së parë janë në kundërshtim edhe me provat materiale.

Apeli shton se Gjykata e shkallës së parë nuk i ka arsyetuar rrethanat të cilat i ka marrë për bazë me rastin e shqiptimit të dënimit.

Me qëllim të evitimit të këtyre gabimeve, Apeli ka vendosur që çështja të kthehet në Rigjykim.