Ilustrim

Apeli i Ministrisë së Infrastrukturës: Kujdes nga ofertat e kompanive mashtruese!

Ministria e Infrastrukturës u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes të shtuar nga avio-kompanitë mashtruese sidomos tani në prag të festave të fundvitit.

Në këtë thirrje thuhet se në këtë kohë bashkatdhetarët planifikojnë të udhëtojnë drejt Kosovës dhe qytetarë të shumtë nga Kosova marrin rrugë për në vendet e tjera.

“Prandaj, me qëllim të evitimit të çfarëdo mashtrimi të mundshëm nga aviokompani të rrejshme, kërkojmë që të jeni vigjilent në rezervimin e biletave”, thuhet në njoftimin e MI-së.

Ministria e Infrastrukturës i lut qytetarët që të shqyrtojnë me kujdes ofertat e mundshme që mund t’i pranojnë përmes rrjeteve sociale apo në forma të tjera dhe t’u drejtohen vetëm kompanive serioze që operojnë në linjat që iu nevojiten atyre.

“Mbetemi në dispozicionin tuaj që të paraqitni kompani të tilla që synojnë mashtrimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, përfundon njoftimi.