Apeli i Institutit të Shëndetit Publik: Kujdes nga rriqrat!

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik u ka bërë thirrje qytetarëve të Malishevës, Rahovecit, Klinës, Suharekës dhe Gjakovës që të kenë kujdes nga rriqrat.

Instituti thotë se po e përcjell në mënyrë permanente situatën epidemiologjike me Ethet Hemorragjike Krime Kongo në të gjitha vatrat e infeksionit bashkë me punëtorët shëndetësor të Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë, Rahovec, Klinë, Suharekë dhe  Gjakovë.

“Edhe sivjet do të vazhdojnë mbikëqyrjen dhe hulumtimin epidemiologjik të të gjitha vatrave, përfshirë këtu edhe vatrat endemike të komunave fqinje: Lipjan, Drenas, Skenderaj, Prizren, Dragash” thuhet në njoftimin e IKSHPK.

Instituti thotë se që nga viti 2013 nuk është shënuar asnjë rast me fatalitet me Ethe Hemoragjike dhe Krime Kongo, ata zotohen se do të vazhdojnë me masat e njejta të parandalimit të përhapjes së tyre.

Instituti Kombëtar rekomandon qytetarët për sivjet:

  1. Mos qëndroni gjatë dhe pa nevojë në livadhe dhe vende me shkurre,
  2. Nëse patjetër duhet të jeni të pranishëm në këto vende vesh rroba të gjata dhe pantallonat futni në çorapë,
  3. Duhet të përdorni preparate me të cila lyejmë pjesët e trupit të cilat i dëbojnë insektet nga trupi i njeriut e sidomos në pjesët e zbuluara të trupit, (shuplakat, qafën),
  4. Kontrolloni trupin mos keni ndonjë rriqër gjatë qëndrimit në vatër,
  5. Kontrolloni përsëri trupin pas largimit nga livadhi apo vendet me shkurre,
  6. Nëse keni rriqër në trup ofrohuni në qendrën më të afërt mjekësore sa më shpejt,
  7. Kositja e barit të bëhet në vazhdimësi (oborr dhe livadhe),
  8. Pastrimi dhe dezinfektimi i stallave të bëhet në vazhdimësi,
  9. Mbajtja e higjienës personale në nivelin më të lartë,

Instituti Kombëtar u bën thirrje qytetarëve se duhet të punojnë në faktorët e përmirësimit të ekosistemit që nënkupton:

  1. Të punohen të gjitha tokat e punueshme,
  2. Të kositen të gjitha livadhet me kohë dhe nga disa herë,
  3. Të pastrohen kopshtet dhe pronat për rreth shtëpive,
  4. Të pastrohen fermat ku mbahen bagëtitë dhe të largohen rriqrat nga trupi i kafshëve,
  5. Të kihet kujdes në veshmbathje për të gjithë fermerët dhe anëtarët e tyre të familjeve që punojnë në fushë ku kurrsesi nuk guxohet të lihen këmbët e zbathura
  6. Fëmijët mos të lejohen të luajnë në livadhe e kopshte të pakositura dhe në mbrëmje të kontrollohet prania e rriqrave në tërë trupin