Kurbanët - Foto: Rtv21

Apeli i BIK për Therjen e Kurbanëve

Bashkësia Islame e Kosovës me anë të një njoftimi për media bën apel tek besimtarët që mos të bien pre e disa individëve në lidhje me therjen e kurbanëve.

Sipas BIK therja e kurbanëve bëhet sipas dispozitave fetare dhe në thertoret e licencuara.

“Kryesia e BIK ka formuar Komision të veçantë, i cili merret me organizimin dhe mbikëqyrjen e aksionit për grumbullimin e mjeteve për therjen e kurbanëve. Mirëpo, Kryesia e BIK është e shqetësuar me veprimin e disa individëve  që po grumbullojnë mjete nga besimtarët në emër të therjes së kurbaneve”, thuhet në njoftimin e BIK.

Më tej, Bashkësia Islame njofton besimtarët dhe të gjithë të interesuarit që duan të bëjnë porosi për therjen e kurbanit që këtë ta bëjnë në kapacitet individual ose të porosisin therjen në institucionin e BIK, “sepse për të ther kurban në kuptimin e plotë të fjalë së pari duhet plotësuar kriteret fetare që kërkohen me dispozitat e fesë”.

“Fjala është këtu për kafshën që do të theret për kurban. Po ashtu, organizimi për therjen e kurbanit kërkon edhe plotësimin e kushteve të parapara me ligjet në fuqi për të ruajtur shëndetin publik. Therja e kurbanëve duhet të behet në thertoret të cilat i plotësojnë kushtet higjienike dhe të sigurisë ushqimore të parapara sipas standardeve hallall dhe jenë të nën mbikëqyrje nga veterinarët dhe teknologët ushqimorë“, thuhet më tej në njoftimin e BIK.

Gjithashtu, kafsha e cila synohet të theret duhet të këtë paraprakisht raport shëndetësor dhe patjetër të kontrollohet nga veterinari para therjes.

“Apelojmë te besimtarët që të mos bien në lajthitje nga individë të ndryshëm kur është fjalë për therjen e kurbanit, sepse duhet pasur parasysh që kurbani është dispozitë fetare, por në të njëjtën kohë duhet të jenë të përgjegjshëm që therja  të bëhet duke respektuar në tërësi parimet e fetare dhe kushtet higjeno-sanitare”, shkruhet në njoftim. /21Media

http://kallxo.com/ja-kur-falet-kurban-bajrami/