Qeli burgu - Foto: REL/Shutterstock

Apeli anuloi vendimin për lirimin e shoferit të aksidentit në rrugën B ku vdiqën dy vajza

Pak ditë pasi Gjykata Themelore e Prishtinës e gjeti fajtorë dhe e dënoi me 3 vjet e gjysmë burg, por e liroi nga paraburgimi të akuzuarin për aksidentin në rrugën B në tetorin e vitit të kaluar, ku si pasojë humbën jetën dy vajza, Gjykata e Apelit e ka anuluar vendimin mbi paraburgimin dhe çështjen e ka kthyer në rivendosje.

Luftrim Musaj, i cili kishte qëndruar në paraburgim nga data 22 tetor 2018, me aktvendimin e datës 4 mars 2019 i ishte ndërprerë paraburgimi pasi që ndaj tij ishte shqiptuar dënim me 3 vjet e 6 muaj, ndërsa lirimi nga paraburgimi ishte arsyetuar me faktin se kishin pushuar rrethanat mbi të cilat ishte caktuar paraburgimi.

Ndaj këtij vendimi ankesë në Gjykatën e Apelit kishte ushtruar prokurori i rastit, ndërsa Apelit e ka gjetur si të bazuar ankesën.

“Arsyetimi i dhënë nuk mundi ta bind këtë Gjykatë se me të vërtetë si i tillë është i mjaftueshëm dhe bindës dhe konform dispozitave ligjore për ndërprerjen e paraburgimit ndaj të pandehurit në fjalë, ngase sipas vlerësimit të Kolegjit, arsyetimi është jo i plotë, i mangët”, thuhet në vendimin e Apelit.

Më 4 mars të këtij viti, Gjykata Themelore e Prishtinës e dënoi me  3 vjet e gjysmë burg Musajn,  e akuzuar për veprën penale të rrezikimit të trafikut.

Sipas njoftimit të Gjykatës, Musaj akuzohetr nga Prokuroria pasi që me datë 22.10.2018, rreth orës 16:10, në rrugën B – afër “Royall Mall” në Prishtinë, duke drejtuar veturën e tij të tipit “BMW”, kishte shkelur Ligjin mbi trafikun publik dhe kishte vënë në rrezik jetën e njerëzve nga pakujdesia, në atë mënyrë duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes dhe duke mos ju dhënë përparësi kalimi këmbësorëve në vend kalimin për këmbësor, i kishte goditur këmbësoret L.A. dhe F.R. e si pasojë e lëndimeve të marra tani të ndjerat kishin ndërruar  jetë në QKUK.