Ngordhja e peshkut ne Mirushe

Apel të mos peshkohet dhe të mos konsumohet peshku i lumit Mirusha

Komuna e Malishevës ka bërë apel që të mos peshkohet dhe të mos përdoret peshku në lumin Mirusha.

“Për shkak të ngordhjes së pazakontë të peshqve në lumin Mirusha, apelohet tek të gjithë peshkatarët dhe banorët që jetojnë përgjatë rrjedhës së lumit Mirusha, përfshi edhe liqenin në Mirushë, që të mos peshkohet dhe të mos merren peshqit”, thuhet në njoftimin e Komunës së Malishevës.

Këtë apel e kanë lëshuar sot, kryetari i komunës së Malishevës, Ragip Begaj, drejtoria e Inspektoratit në Malishevë dhe shoqata e peshkatarëve sportiv në Malishevë.

“Përderisa organet përgjegjëse të dalin me një deklarim rreth shkakut të ngordhjes së peshqve, apelohet që të mos peshkohet apo të merren peshqit”, thuhet në njoftim.

Në mënyrë të veçantë, kërkohet nga prindërit që mos t’i lejojnë fëmijët që të marrin peshk nga lumi apo liqeni. 

Ata kanë treguar që mostrat janë dërguar për analizë dhe janë në pritje të konfirmimit të shkaqeve të ngordhjes së peshqve, prandaj, derisa të dalin analizat dhe derisa organet kompetente të dalin me një përfundim zyrtar, luten të gjithë peshkatarët dhe banorët, të bëjnë kujdes. 

“Komuna është duke i marrë të gjitha masat e nevojshme në mënyrë që të pastrohet lumi”, përfundon njoftimi.