Ilustrim

Anulohet një fluturim, kërkohet ndërprerja e grevës së kontrollorëve të trafikut ajror

Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës ka kërkuar nga kontrollorët e trafikut ajror në Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror “Adem Jashari” që ta ndërprerjen grevën.

AAC-ja, përmes një njoftimi, ka thënë se kompanitë ajrore janë njoftuar me kohë mbi grevën dhe orarin në mënyrë që ato të kenë mundësinë e organizimit të tyre.

“AAC-ja shpreh keqardhje që kontrollorët e trafikut ajror në Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror  kanë vendosur të vazhdojnë grevën me gjithë dedikimin tonë dhe të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit për trajtimin e tyre sipas rëndësisë së kontrollorëve të trafikut ajror, mungesës së tyre në tregun e punës dhe specifikat e punës që argumentojnë një trajtim ndryshe nga shërbyesit tjerë civilë”, thuhet në komunikatë.

Sipas tyre, mbajtja e grevës po shkakton pasoja te mëdha për publikun që udhëton dhe humbjet tjera direkte e indirekte që mund të shkaktohen.

“AAC-ja shpreson që palët të arrijnë një konsensus sa më të shpejtë në mënyrë që operimet ajrore të bëhen sipas orarit të planifikuar dhe të mos dëmtohen edhe më tej udhëtarët dhe funksionimi normal i ANP “Adem Jashari”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës.

Ndërkaq, KALLXO.com ka kontaktuar me zëdhënësin e ASHNA-së, Driton Ujkani i cili theksoi se një fluturim vajtje-ardhje është anuluar për shkak të grevës.

“Vetëm një fluturim është anuluar në mëngjesin e sotëm pasi që ka qellu në kohën e grevës, tjera nuk ka pasur”, u shpreh Ujkani.