Anulohet konkursi për shtatoren e Adem Demaçit

Zyra e kryeministrit të Kosovës ka anuluar konkursin për shtatoren e Adem Demaçit.

Anulimi i këtij konkursi është konfirmuar për KALLXO.com nga Jahja Lluka, këshilltari i kryeministrit, njëherësh edhe kryetar i komisionit për përzgjedhjen e veprës fitues për shtatoren e Adem Demaçit.

“Në rend të parë është kërkesa e familjes, që ka kërkuar që edhe ajo të ketë rol në përzgjedhjen e bucetës, pastaj për shkak se s’ka pasur mjaftueshëm konkurrues”, ka pohuar Lluka.

Anulimi i këtij konkursi vjen pas reagimeve të shumta, sidomos të familjarëve të Demaçit, të shfaqura me rastin e bërjes publike të projektit fitues për shtatoren, gjatë ceremonisë së inaugurimit të gurit të themelit, ku do të vendoset shtatorja e Adem Demaçit, në sheshin po me të njëjtin emër në Prishtinë,  javën që shkoi.