Pamje pas incidentit të mbrëmshëm gjatë festës së birrës - Foto: KALLXO.com

Anulohet Festa e Birrës

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka njoftuar sot se pas konsultimit me organizatorët e “Beerfest”, me Policinë dhe drejtoritë përkatëse, ka marrë vendim që të revokojë lejen e festivalit për sot e nesër.

Këtë vendim “të vështirë” sipas tij Ahmeti e ka marrë pas incidentit të mbrëmshëm, kur pas një rrëmuje të shkaktuar pas disa të shtënave, është krijuar panik, me ç’rast janë lënduar së paku 42 persona.

“Numri i madh i njerëzve mbrëmë ka tejkaluar të gjitha kapacitetet organizative dhe ka shpërfaqur disa probleme substanciale. Kryesoret kanë qenë mungesa e kapacitetit për të garantuar sigurinë nga ana e organizatorëve për shkak te numrit të madh të njerëzve dhe prania e madhe e minorenëve (nën 18 vjeç) në shesh. Për këto arsye kam vendosur që të revokojmë lejen e ‘Beerfest’ për sot e nesër”, ka shkruar Ahmeti në profilin e tij në “Facebook”.

http://kallxo.com/nuk-ka-te-arrestuar-per-te-shtenat-ne-beer-fest/

Edhe organizatori i “Beerfest Kosova” ka njoftuar për anulimin e ngjarjes nga ana e kryetarit të Prishtinës.

Sipas tyre, festa pritet të zhvendoset në një lokacion tjetër “në një të ardhme të afërt”.

Së paku 42 veta kanë kërkuar ndihmë në QKUK pas rrëmujës së shkaktuar gjatë festës së birrës në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

http://kallxo.com/qkuk-jep-bilancin-e-lendimeve-ne-beer-fest/