Burimi i fotos - FCB - Hajriz Koca
Antikorrupsioni kërkon shkarkimin e Sekretarit në Ministrinë e Inovacionit
Hajriz Koca, sekretar në Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë sipas Agjencisë kundër Korrupsion, është në konflikt interesi dhe i njëjti është duke e mbajtur pozitën në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e konfliktit të interesit.
Sipas Vendimit të Agjencionit kundër Korrupsion, Koca është në konflikt interesi, pasi që i njëjti nga pozita e këshilltarit politik të ministrit në të njëjtën ministri është zgjedhur – emëruar sekretar i përgjithshëm.
“Ekziston konflikti i interesit në rastin nr.AKK-03-02-501/19, për z. Hajriz Koca, Sekretar në Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, për shkak se deri para se të zgjidhej dhe emërohej në këtë pozitë i njëjti ishte këshilltar politik i Ministrit të po të kësaj ministrie. Kjo situatë bie ndesh me dispozitat e Ligjit për Parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik”, thuhet në vendimin e AKK-së.
AKK, në pikën 2 të këtij vendimi thekson se do të kërkojë nga Ministria që të iniciojë procedurat për shkarkimin e Hajriz Kocës.
Më tej në vendimin e AKK-së thuhet se përkundër se i është tërhequr vërejtja sekretarit Koca, se është në konflikt interesi, i njëjti nuk e ka liruar ende pozitën.
“…Zyrtari i lartë z.Koca, pavarësisht nga paralajmërimi i Agjencisë (Shkresa zyrtare e dt.20.06.2019) vazhdon të kryej funksionin e tij të papajtueshëm me Ligjin për Parandalimin e konflikt të interesit, Agjencia kundër Korrupsionit kërkon nga institucioni punëdhënës që të filloj procedurën për shkarkimin e tij. Ndërsa institucioni ku zyrtari vazhdon të kryej aktivitetin ose funksionin e papajtueshëm me këtë ligj, duhet të filloj procedurën për shkarkimin nga funksioni sipas kërkesës së Agjencisë”, thuhet ndër të tjera në Vendimin e AKK-së.
KALLLXO.com ka provuar të kontaktojë me Hajriz Koca, por i njëjti nuk është përgjigjur thirrjeve telefonike.
Vendimin e Plotë të AKK-së mund ta lexoni duke klikuar në LINK