Shaip Havolli, drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit. Foto: Kallxo.com

Anti-Korrupsioni 'ende duke e hetuar' rritjen e pagave të Qeverisë

Agjencia Kundër Korrupsionit është ende në fazën e hetimeve nëse gjetjet e tyre për konflikt interesi në çështjen e rritjes së pagave për zyrtarët e lartë të qeverisë Haradinaj përbëjnë vepër penale.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar drejtori i kësaj Agjencie, Shaip Havolli.

Ai ka thënë se kjo Agjenci është duke mbledhur informata dhe prova të tjera dhe se ende nuk ka ndonjë kallëzim penal për këtë rast.

“Rritja e pagave të Qeverisë është duke u hetuar nga Departamenti për hetime dhe janë duke u mbledhur prova dhe informata të tjera. Pra nuk ka ende ndonjë kallëzim penal”, tha Havolli për KALLXO.com.

Sipas Havollit, Agjencia ka kohë 6 muaj që të hetojë rastet në Departamentin për Hetime, me mundësi të vazhdimit të hetimeve edhe për 6 muaj të tjerë.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim të rrisë pagat e kryeministrit, zëvendëskryeministrave, ministrave dhe zyrtarëve të tjerë të Qeverisë.

Ndërsa rreth një muaj më pas, Agjencia Kundër Korrupsion e Kosovës nxori një opinion ku gjeti se ka pasur konflikt të interesit me rastin e ngritjes së pagave.

“Vendimi i Qeverisë i datës 20.12.2017 nuk mund të cilësohet si konflikt interesi për të gjithë ata të cilët janë përfitues nga nxjerrja e këtij vendimi. Konflikti i interesit është paraqitur tek zyrtarët e lartë të cilët me votën e tyre kanë ndikuar që Vendimi të jetë në interes të tyre për përfitime personale”, konstatoi AKK në opinionin e saj.

Më tej AKK kishte rekomanduar anulimin e vendimit për rritjen e pagave.

“Prandaj, përmes këtij Opinioni, AKK rekomandon që Vendimi të kthehet në rishqyrtim, duke shfrytëzuar mënyra tjera ligjore të cilat nuk bien ndesh me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit dhe legjislacionin tjetër relevant në fuqi”, rekomandoi AKK.

Rritjen e pagave e kishte konsideruar si kushtetuese edhe Gjykata Kushtetuese, e cila kishte vendosur për kërkesën e 30 deputetëve të Kuvendit të Kosovës për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së vendimit të qeverisë.