Publikimi i barometrit të sigurisë | Foto: KALLXO.com

Anketa: Shqipëria Miqësore, Serbia Kërcënim

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka shpalosur sot rezultatet e Barometrit Kosovar të Sigurisë, Edicionit Special për Politikë të Jashtme dhe Dialog me Serbinë.

Në mes të gjitha vendeve të renditura në pyetësorin e anketës, Shqipëria konsiderohet si vendi më miqësor ndaj Kosovës dhe aleati e partneri strategjik më i madh.

Ndërsa rreth 90% e qytetarëve të anketuar kanë perceptime negativë ndaj Serbisë dhe një pjesë e madhe e të anketuarve e konsiderojnë Serbinë si një nga kërcënimet më të mëdha të jashtme ndaj sigurisë në Kosovë.

93,6 për qind e të anketuarve besojnë se Kosova duhet të anëtarësohet në BE pavarësisht se ky mbetet “qëllim i largët”.  Ngjashëm 89.0 për qind e qytetarëve besojnë se Kosova duhet të synojë anëtarësimin në NATO.

Në bazë të barometrit, rreth 73 për qind e të anketuarve besojnë se marrëveshja e Asociacionit është shumë e dëmshme dhe do të ketë ndikim domethënës në funksionimin e brendshëm të Kosovës.

Një përqindje shumë e kufizuar e të anketuarve serbë, rreth 6%, besojnë se Asociacioni do të ketë ndikim negativ në Kosovë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës perceptohen si shumë miqësore ndaj Kosovës. Shtetet e Bashkuara shihen përtej kornizës së marrëdhënieve të zakonshme dypalëshë, ato perceptohen më shumë si një nga aleatët dhe partnerët strategjikë më të mëdhenj në Kosovë.

Ngjashëm, Gjermania renditet si aleati dhe partneri strategjik më i madh i Kosovës në Europë. 88,9% e cilësuan Gjermaninë si shtet shumë miqësor ndaj Kosovës.

Në anën tjetër, Turqia shihet si partner strategjik potencial për Kosovën.

Ky perceptim pozitiv është i ndërlidhur ngushtë me faktorë ekonomikë, politikë, por edhe kulturor. Kurse, qasja e Rusisë ndaj Kosovës konsiderohet si shumë armiqësore.

Prirja negative, ngjashëm me edicionet e mëparshme të BKS-së, u atribuohet lidhjeve të ngushta diplomatike mes Rusisë dhe Serbisë, por edhe të perceptimeve të nivelit të lartë për influencën ruse në pjesën veriore të Kosovës.

Ndarja etnike e të anketuarve të intervistuar është 90 për qind shqiptarë, 7 për qind serbë dhe 3 për qind të tjerë (turq, boshnjakë, romë, ashkalinj, egjiptian, goranë, kroatë, malazezë) duke pasqyruar përbërjen etnike të Kosovës.

Florian Qehaja drejtor ekzekutiv në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë tha se në shoqëri normale politika e jashtme nuk do të ishte një prioritet për qytetarët.

“Në shoqërinë normale politika e jashtme nuk do të ishte një prioritet për qytetarët, por në kontekstin në të cilin jemi ne në Kosovë politika e jashtme dhe dialogu me Serbinë po interferon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve”, tha Qehaja.

Ai shtoi se qytetarët janë në gjendje të japin komente pasi që janë të afektuar nga ngjarje të ndryshme.