Anketa e VV-së e nxjerr Kurtin kryeministër

Lëvizja Vetëvendosje në një konferencë për media ka bërë publike të gjeturat e anketës së radhës të kësaj partie të bërë në muajin dhjetor, ku sipas kësaj lideri i VV, Albin Kurti është kandidati më i preferuar i qytetarëve për kryeministër.

“Që nga muaji mars që i kemi bërë anketat prin lideri i partisë sonë, Albin Kurti në vazhdimësi me 19.7%, i cili pasohet nga Kadri Veseli me 15.8%, Ramush Haradianj me 14.9% Isa Mustafa me 13.2%. Shpend Ahmeti, Fatmir Limaj, Mimoza Kusari dhe Behgjet Pacolli radhiten të fundit me 4.4%, 4.3%, 2.3%, dhe 1.4 % respektivisht”, ka treguar nënkryetari i kësaj partie, Besnik Bislimi gjatë prezantimet të rezultateve.

Bislimi tha se në bazë të kësaj shihet se qytetarët nuk i mbështesin mjaftueshëm personat e zgjedhur të ekipit negociator.

Ai po ashtu tregoi se në këto të gjetura në pyetjen së cilën parti do ta votonin 1077 anketuesit, e para ka dalur LDK e pas saj VV.

“Në këtë pyetje shihet se ende prin mbështetje e qytetarëve për  LDK me 27.2%, VV me 22.6%, PDK me 20.5%, AAK me 12.6% dhe NISMA 6.3%, ndërsa partitë që s’mund të kalojnë pragun nuk janë futur në këtë anketë”, tha nënkryetari i VV-së duke shtuar se kjo tregon se PDK-ja ka pësuar rënie dhe VV-ja po rritet.

Tutje ai tha se anketa ka trajtuar edhe nëse qytetarët janë të kënaqur me Qeverinë Haradinaj.

“Sipas rezultateve të të pakënaqurve del se Qeveria Haradinaj nuk është duke bërë asgjë për vende të reja të punës, ministrat e qeverisë së tij janë të korruptuar, nuk ka mbajtur premtimin për liberalizim dhe ka ministra të paaftë”, tha ai.

Ky anketim është realizuar në muajin dhjetor, i kontraktuar nga Vetëvendosje dhe i implementuar nga UBO Consulting.