Ankesa për devijim të rrugës të asfaltuar në Lipjan

Banorë të fshatit Rufc i Ri të Komunës së Lipjanit, po ankohen se punimet për asfaltimin e rrugës Lipjan-Magurë kanë devijuar në anën e djathtë të rrugës duke zënë më shumë hapësirë pranë shtëpive të tyre.

Banorët e rreth 10 shtëpive, të cilët banojnë në afërsi të  rrugës kryesore, për këtë çështje i janë drejtuar edhe Komunës së Lipjanit dhe Ministrisë së Infrastrukturës, por thonë se institucionet përkatëse nuk kanë ndërmarrë ndonjë veprim.

Xhelil Vishesella, banor i fshatit Rufc i Ri, thotë për KALLXO.com se rruga është bartur për disa metra në anën e shtëpive të tyre dhe se një pamje e tillë nuk i shkon hapësirës publike.

“Jemi duke u ankuar shkaku i rrugës që është asimetrike. E kemi matur edhe me punëtorin që është këtu mbikëqyrës dhe njëra anë ka dalë 7 metra e 70 (centimetra) ndërsa, njëra anë ka dalë 4 metra e 50 (centimetra). Domethënë, as nuk jemi kundër kojshillakut apo kundër ndërtimit të rrugës, jemi vetëm që rruga të jetë simetrike dhe e bazuar në kadastër”, tha ai.

Vishesella shtoi se javën e kaluar, në letrën dërguar komunës, kanë kërkuar formimin e një komisioni profesional për verifikimin dhe vlerësimin e ndërtimit të rrugës.

Ndërsa, zëdhënësja e Komunës së Lipjanit, Bukurie Zejnullahu ka deklaruar për KALLXO.com se devijimi i rrugës në këtë lokacion ka ndodhur për shkak të afërsisë së një kthese të rrugës në drejtim të fshatit Torinë.

“Rruga Lipjan-Magurë është hartuar nga ekspertët profesionalë të Komunës së Lipjanit dhe është në pajtueshmëri me rregullat teknike të projektimit të rrugëve. Është hartuar brenda hapësirave publike, e cila ka gjerësi të mjaftueshme të trasesë dhe nuk atakon pjesën private të banorëve. Devijimi i trasesë në këtë segment ka ndodhur për shkak të afërsisë së kthesës së radhës në drejtim të fshatit Torinë, pasi nuk posedon hapësirë për zgjerim të mëtejmë për shkak të pronës private”, thuhet në përgjigjen e Zejnullahut.

Asfaltimi i rrugës Lipjan-Magurë ka nisur tash e disa muaj.