Ankesa e Nuhi Ukës Shqyrtohet në Apel

Gjatë shqyrtimit të ankesave të 10 të akuzuarve dhe prokurorisë për dënimet në rastin e keqpërdorimit të pronave të “Kosova Exportit” nga Gjykata e Apelit, Nuhi Uka u deklarua i pafajshëm.

Uka e mbështeti në tërësi fjalën e mbrojtësit të tij.

Tahir Rrecaj, avokati i Nuhi Ukës propozoi që ankesa e tij të aprovohet në  tërësi, pasi sipas tij gjatë gjykimit në shkallën e parë prokurori ka dështuar ta dëshmojë fajësinë e të akuzuarve.

“Propozoj që Nuhi Uka të lirohet nga akuzat, apo çështja te kthehet ne rigjykim,” tha Rrecaj.

Avokati Zhivojin Jokanoviq, mbrojtës i Ollga Janiçijeviqit deklaroi se ne jemi duke mbrojtur njerëzit që askujt nuk i kanë bërë asnjë të keqe.

Edhe e akuzuara Janiçijeviq e mbështeti avokatin e saj dhe i propozoi trupit gjykues lirimin nga akuzat në mungesë të provave.

I akuzuari Ekrem Agushi në fjalën e tij para Apelit tha se nuk ka ardhur këtu të kërkojë lëmoshë, për t’i thënë më pas kolegjit që ta dënojë nëse gjen fakte.

“Ne nuk kemi bërë shkelje siç thuhet në aktakuzë dhe prokurori me ka prekur shumë ne dinjitetin dhe autoritetin tim, sepse unë asnjëherë s’kam qenë i dënuar për korrupsion,” tha Agushi.

Prokurori duke elaboruar ankesën e tij tha se dënimet duhet të jenë më të larta në rastin e Nuhi Ukës dhe nëntë personave tjerë.

10 të dënuarit në vitin 2014, mes tyre tetë gjykatës, prokurori i quajti të korruptuar.

“Me këta gjyqtarë të korruptuar Kosova nuk mund të shkojë përpara asnjëherë,” tha prokurori.

Tahir Rrecaj, avokati i Nuhi Ukës reagoi ndaj këtyre fjalëve të prokurorit.

“Të pandehurit i mbron parimi i pafajësisë, pasi ata nuk janë dënuar me vendim të formës së prerë,” tha avokati.

Visar Vehapi mbrojtës i te akuzuarës Sanije Muqolli e cila sot mungonte tha se mbetet në tërësi pranë ankesës ndaj aktgjykimit të shkallës se parë, pasi që aktakuza dhe aktgjykimi është nxjerrë në bazë të opinionit të krijuar nga mediat.

E akuzuara Shemsie Sheholli tha se ka qenë në lajthim në atë kohë në lidhje me kompetencat, përfaqësuesit e paditësve nuk kanë ngritur çështjen e kompetencës, unë nuk mund te merrem në përgjegjësi për ndryshimet e bëra nga personat e tjerë në lëndën C.nr. 2333/05.

“Në këtë lëndë askush nuk është dëmtuar, ndërsa unë jam viktimë e kësaj lënde,” tha Sheholli.

Nuhi Uka deri në vitin 2010 ishte kryetar i ish-Gjykatës Komunale të Prishtinës, ndërsa ishte dënuar me dy vjet burg me kusht dhe 3 vjet mosushtrim të profesionit në vitin 2014 nga Gjykata Themelore në Prizren.

Uka dhe 7 gjykatës tjerë u dënuan ngase që nga paslufta deri në vitin 2006 kishin tjetërsuar më shumë se 10 hektarë pronash të ndërmarrjes KBI “Kosova Export” në “Veternik”, Çagllavicë, e Llapnasellë me anë të nxjerrjes së 15 vendimeve gjyqësore.

Gjyqtarët këtë e kishin bërë me ndihmën e një zyrtareje të ndërmarrjes dhe një zyrtari të Komunës së Prishtinës, duke shpronësuar KBI-në nga këto prona, të cilat i kishin regjistruar në emër të personave fizikë për t’i shitur më pas.

Të akuzuarit mendohet se me këto veprime i shkaktuan dëm pronës shtetërore në vlerën e 60 milionë eurove.

Në vitin 2014 dënime me kusht patën marrë edhe Ollga Janiçijeviq, Tihomir Mikariq, Shemsije Sheholli, Sanije Muçolli, Ekrem Agushi, Ferid Bislimi, Rrahman Retkoceri, Hasnije Balidemaj e Gazmend Gashi.