Skender Çoçaj, anëtar i KGjK-së. Foto: Kallxo.com
Anëtari i KGJK-së Votoi Veten për Akademinë e Drejtësisë
Me shumicë të votave të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, pa asnjë votë kundër dhe me vetëm një abstenim, dy propozimet, Skender Çoçaj dhe Driton Muharremi u votuan për anëtarë të Këshillit Drejtues Akademisë së Drejtësisë.
Njëra nga votat “për” nga anëtarët e Këshillit Gjyqësor ishte edhe ajo e anëtarit të këtij këshilli Skender Çoçaj i cili votoi pro propozimeve që u hodhën në votim nga kryesuesi Nehat Idrizi.
Ky votim ndodhi në mbledhjen e 15 marsit të këtij viti.
Lidhur me këtë KALLXO.com, kontaktoi me kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës Nehat Idrizi.
Idrizi tha se është praktikë e anëtarëve të KGjK-së që kur votohet për ndonjërin prej tyre të abstenojë.
“Unë e di që zakonisht kur është në pyetje diçka për vetveten abstenojnë, mua tani nuk po më kujtohet në detaje se si ka ndodhur sepse kjo ka qenë në mbledhjen e kaluar”, tha Idrizi.
Idrizi nuk deshi të shtojë më shumë lidhur me këtë rast nëse do të shqyrtohet edhe njëherë ky propozim apo jo duke thënë se nuk dëshiroj të paragjykoj procesin.
KALLXO.com kontaktoi edhe me gjyqtarin, Skender Çoçaj i cili tha se nuk do të kishte votuar për veten nëse votimi do të ishte vetëm për të.
“Po të thuhej aty se kush voton për Skender Çoçaj sigurisht se nuk do të kisha votuar dhe do të kisha abstenuar por votimi ka qenë edhe për Driton Muharremin dhe për këtë arsye kam votuar”, tha Çoçaj.
Çoçaj tha se nuk konsideron që votimi i tij pro vetës nuk e cenon procesin e votimit të anëtarëve të KGjK-së të për anëtarë të Këshillit Drejtues të Akademisë së Drejtësisë.
Ligji për Akademinë e Drejtësisë së Kosovës në nenin pikën përcakton se tre anëtarë të Këshillit Drejtues të akademisë duhet të emërohen nga KGJK. Në mesin e këtyre tre anëtarëve duhet të jetë një gjyqtar nga Gjykata Themelore, një gjyqtar nga Gjykata e Apelit dhe një anëtar nga Sekretariati i Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Mandati i anëtarëve të Këshillit Drejtues të Akademisë së Drejtësisë është 4 vjet.