FOTO KUVENDI I KOSOVES

‘Anashkalimi’ i Albulena Haxhiut nga Kadri Veseli ngjallë polemika

Shqyrtimi i dytë i Projekt-Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës ka shkaktuar polemika mes kryetarit të Kuvendit të Kosovës Kadri Veselit dhe kryetares së Komisionit për Legjislacion nga Lëvizja Vetëvendosje Albulena Haxhiu.

Veseli, për ta arsyetuar votimin e projekt-rregullores, ia dha fjalën nënkryetarit të Komisionit Hajdar Beqa, duke e anashkaluar kryetaren e Komisionit Albulena Haxhiu.

Kjo e fundit reagoi duke thënë se sipas rregullores kur kryetarja është prezent nuk mund të anashkalohet.

“Së pari me qartësuar nuk e kam hall a flas unë a Hajdari. Po përpiqemi me ju mësu disa rregull. Qershori i vitit të kaluar ka qenë kur kjo rregullore është procedu në Kuvend. Dhe në shtator siç e dini kemi nis bojkot aktiv të Kuvendit dhe prandaj ka qenë çështja që është autorizuar Hajdari”, tha ajo.

“Dhe tash janë rrethana tjera a po më sheh që jam këtu. Dhe nëse unë jam këtu ti nuk mundesh dhe nuk ke asnjë të drejtë me anashkalu kryetaren e Komisionit për Legjislacion”, shtoi Haxhiu.

E Veseli tha se administrata e Kuvendit ju referohet dokumenteve zyrtare duke i thënë se vet Haxhiu e ka autorizuar nënkryetarin për ta marr fjalën.

“Kjo është sjellje e paskrupullt dhe e pa dinjitetshme unë e kam një dokument të nënshkruar nga Albulen Haxhiu si kryetare e komisionin e cila e autorizon Hajdar Beqën për ta lexu raportin. Është dokument zyrtar. Ju kisha lut me pas sjellje ma të mira”, tha Veseli.

Megjithëse në sallë ishin prezent vetëm 70 deputet dhe nuk ishin 2/3 e deputetëve, Veseli ka kaluar në pikën tjetër të rendit të ditës.