Analizohen përparësitë dhe ngecjet në maturën shtetërore 2018

Këshilli Shtetëror i Maturës (KShM) ka filluar punëtorinë për analizën e maturës shtetërore 2018 dhe mundësisë së përmirësimit të këtij procesi.

Në këtë punëtori kanë marrë pjesë të gjithë anëtarët e këshillit, zyrtarë nga MAShT dhe ekspertë të këtij procesi.

Këshilli Shtetëror i Maturës ka analizuar përparësitë që i ka pasur ky proces dhe ngecjet gjatë vitit 2018.

“Qëllimi i kësaj punëtorie është që të punohet drejt përmirësimit të procesit të Maturës Shtetërore dhe për këtë KShM edhe në dy ditët në vazhdim, veç analizës që po bëhet për Maturën 2018, do të diskutohet edhe rreth planit për Maturën 2019, me fokus të veçantë për ndryshimet e mundshme, qoftë për nevojën e standardizimit të testit, apo edhe të ndryshimeve të nevojshme të këtij procesi në tërësi, e gjithashtu do të diskutojë edhe rreth sugjerimeve të ekspertëve ndërkombëtarë rreth procesit të Maturës”, thuhet në komunikatën e MASHT.

KShM, po ashtu ka diskutuar edhe rreth idesë së ministrit Bytyqi për të filluar një debat publik me komunat, shkollat, nxënësit dhe shoqërinë civile, me qëllimin e vetëm që të përmirësojmë dukshëm procesin e Maturës Shtetërore, për faktin se është një nga proceset më të rëndësishme në arsimin para universitar.

Kjo punëtori do të finalizohet me të gjeturat dhe rekomandimet, për të cilat Këshilli Shtetëror i Maturës do ta njoftojë edhe ministrin e arsimit.