Analistët: Të Kthehen në Kuvend AAK-ja e Nisma

Deputetët e “Vetëvendosjes” u kthyen të enjten në Kuvend duke i dhënë fund bojkotit gati 3 muajsh. Ata në seancë nuk përdorën gaz lotsjellës, gjë të cilën e kishin bërë që nga shtatori i vitit të kaluar.

Analisti Beul Beqaj tha për KALLXO.com se beson që do të vazhdojë një trend i tillë i seancave pasi që qytetarët janë lodhur nga veprimet joparlamentare të deputetëve.

“Mjerisht, nëse diçka shkon në rregull në Parlamentin e  Kosovës është -ngjarje. Pra, fakti se nuk ka pasur veprime joparlamentare mund të konsiderohet si “jonormale”. Besoj se do të vazhdojë një trend i tillë. Qytetarët janë lodhur me përfaqësuesit tyre të  zgjedhur për Parlamentin e Kosovës duke i parë  sjelljet e tyre joparlamentare,” deklaroi Beqaj.

Beqaj e quajti joserioz vazhdimin e bojkotit të punës së Kuvendit nga AAK-ja e Nisma.

“Kthimi i tyre në kuvend me kushtëzime tregon se ata janë joseriozë karshi interesave të qytetarëve… Qytetarët shqetësohen edhe për ‘zajednicën’ dhe demarkacionin …por gjysma e tyre janë të uritur, të papunë … Ndërsa në parlament duhet shqyrtuar dhe ngritur edhe këto çështje prioritare, e jo të ngujohet opozita për vetëm këto dy çështje. Deputetët  nuk duhet të parcializojnë mandatin e tyre vetëm për këtë, apo atë çështje, por duhet të kenë qasje të përgjegjshme ndaj çdo  çështje me interes  publik,” tha mes tjerash Beqaj.

Albert Krasniqi nga KDI-ja, organizatë që monitoron punën e Kuvendit, thotë për KALLXO.com se normaliteti nuk kthehet pa pjesëmarrjen edhe të dy partive tjera opozitare në seanca.

“Kjo ishte seanca e parë pak më normale në Kuvend pas një periudhe nëntëmujore. Normaliteti nuk do të jetë i plotë pa kthimin e tërësishëm të opozitës,” tha Krasniqi.

E derisa partia më e madhe opozitare u kthye për të mbajtur një seancë normale pas një kohë të gjatë, në Kuvend u panë shumë pak anëtarë të kabinetit qeveritar, e Krasniqi këtë e vlerëson si dobësi të Kuvendit.

“Shpërfillja e Kuvendit që i bëhet nga ana e kabinetit qeveritar, si përmes mospranisë së tyre në Kuvend, po ashtu edhe përmes shmangies së pyetjeve parlamentare, është tregues i fuqisë së dobët të Kuvendit për të mbikëqyrur qeverinë,” tha Albert Krasniqi.

Mirëpo edhe pse kjo seancë u nis dhe përfundoi e qetë, nuk do të thotë se kështu do të jetë gjithmonë.

Kryetari i Grupit Parlamentar të “Vetëvendosjes” Glauk Konjufca tha para tri ditësh për KALLXO.com se nëse në Kuvend vijnë për ratifikim 2 marrëveshjet e shumëpërfolura, ajo e Demarkacionit me Malin e Zi dhe për Asociacionin e Komunave Serbe, ky subjekt do t’i radikalizojë  veprimet e tij.

http://kallxo.com/konjufca-marreveshjet-ne-kuvend-sjellin-radikalizim/

Ndërsa edhe dy partitë tjera opozitare kanë deklaruar se do të kthehen në Kuvend atëherë kur do të diskutohet për këto dy çështje.