Analistët Lexojnë Mesazhin e Protestës së Sotme

Protestën që sot opozita organizoi në qendër të Prishtinës me thirrjen “për shtet me sovranitet”, analistët e ndryshëm po e cilësojnë si më madhështoren që ndonjëherë është mbajtur në Kosovë.

Masa e madhe e qytetarëve të cilët në Prishtinë erdhën nga komuna të ndryshme të Kosovës, kishte vetëm një thirrje, “Poshtë Qeveria”.

Partitë opozitare kanë thënë se sot në protestë kanë marrë pjesë rreth 100 mijë protestues, por një shifër të tillë, e ka hedhur poshtë Policia e Kosovës, të cilët thanë se kanë qenë rreth 8 mijë protestues.

Liderët e partive opozitare, në fjalimet e mbajtura para protestuesve duke iu referuar Qeverisë së Kosovës, thanë se “e shkelën Kushtetutën për Zajednicë”.

Por për kryetarin e Kuvendit të Kosovës, protesta e sotme kishte një fillim dinjitoz, me një përfundim dëshpërues.

“Dhunimi i shtetit në forma të tilla të zjarrvënies së institucioneve, entuziazmon kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës, zhgënjen partnerët ndërkombëtarë të shtetit tonë dhe dëshpëron e frikëson qytetarët që duan t’i rrisin fëmijët e tyre në këtë vend”, thuhet në një deklaratë të Veselit në Facebook.

Ndërsa, Presidentja e Kosovës, Atifete Jaahjaga, ka apeluar tek protestuesit që “të tregojnë përgjegjësi dhe thërras për qetësi, ndërsa organizatorëve të protestës të distancohen nga këto akte dhe të ushtrojnë autoritetin e tyre që të ndalojnë dhunën në sheshet e Prishtinës”, thekson presidentja Jahjaga në reagimin e saj.

Analistët: Protesta madhështore

Por për analistin Bajrush Morina një fund i tillë i protestës në një mënyrë ishte “dështim i opozitës”.

Ai tha se edhe përkundër kërkesës shumë të madhe të tyre për ta rrëzuar këtë qeveri, ata vetë po ia shtojnë jetën edhe më tej, me veprimet e tyre.

“Një grup protestuesish mbase tentuan dhe ia vunë flakën Qeverisë, por konsideroj se numri i pjesëmarrësve në protestë do të duhej të ishte shumë më i madh dhe dhuna e eskaluar në formë të protestës, vetëm po ia shton jetëgjatësinë kësaj qeverie”, tha Morina.

Sipas tij, as pjesëmarrja e protestuesve nuk ishte ajo që ishte pritur.

“Protesta e sotme sado madhështore që ishte për nga numri, në krahasim me protestat e kaluara, sidomos nëse merret parasysh vendimi i Gjykatës Kushtetuese, dhe nëse merret parasysh propaganda për pjesëmarrje në këtë protestë, atëherë protesta e sotme ishte një protestë modeste”, tha Morina.

Për Morinën, asnjë protestë tjetër nuk do ta arrijë këtë masë që ajo sot kishte, e që sipas tij, nuk e shfrytëzuan për të mirën e tyre.

“Aty ku ka Vetëvendosje, aty edhe po ka dhunë, prandaj të gjitha protestat kundër kësaj qeverie kur po përfundojnë me dhunë e forcojnë edhe më shumë pushtetin e kësaj qeverie”, tha Morina.

Por për zëdhënesin e Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, ata u munduan që të mbajnë qetësinë dhe të mos eskalojë situata.

“Ne po mundohemi t’i evidentojmë se kush janë ata, dhe organizatorët tanë po mundohen t’i ndalin që mos të eskalojë situata”, tha Krasniqi.

Bajrush Morina, nuk e sheh as vendimin e Gjykatës Kushtetuese,  ku thuhet se qeveria do të duhet të japë dorëheqje.

“Nuk ka përgjegjësi përderisa nuk ka konstatim të Gjykatës Kushtetuese se marrëveshjet e Brukselit kanë përbërë shkelje të Kushtetutës, dhe nuk mund të thirret askush në përgjegjësi përderisa nuk ekziston interpretim i saktë i Gjykatës se marrëveshjet e Brukselit kanë përbërë shkelje”, tha Morina.

Por mendim tjetër ka Imer Mushkolaj, i cili thotë se çdo ditë që vazhdon të qeverisë kjo qeveri aktuale, është e pakuptimtë,

“Nuk e di a po i sheh kryeministri këto skena, dhe a mjaftojnë këto skena nëpër rrugët e Prishtinës që ai me reflektu seriozisht dhe me e pa se ka po shkon vendi”, tha Mushkolaj për KALLXO.com.

Ai tha se masa e madhe që sot ishte në rrugët e kryeqytetit ishte një mesazh i fuqishëm për qeverinë dhe kryeministrin Isa Mustafa.

Për Mushkoljan, mosreflektimi i Mustafës vetëm sa po e shton zhgënjimin tek masa, dhe po e rritë atë në protesta.

“Kokëfortësia e Kryeministrit dhe e pushtetarëve karshi kërkesave që deri tash kanë qenë, dhe karshi kësaj mase, do të jetë problematike, nuk mjafton vetëm të thuhet se ata protestuan dhe se ne qëndrojmë në pozicionet tona, nuk ndërrojmë asgjë… nuk po e kuptoj se si mund të ndihen komod Kryeministri apo zëvendësi i tij (Thaçi)”, tha ai.

Sipas Mushkojat, Gjykata Kushtetuese, vetëm sa i ka dhënë një armë të fortë në duar opozitës që ata të vazhdojnë të kundërshtojnë këtë qeveri dhe marrëveshjet e arritura.

Por për të, ndërhyrja e policisë sot ishte shumë më e ulët se  sa e herëve të tjera.

“Në bazë të ndërhyrjes së Policisë, por edhe në bazë të numrit të protestuesve, mundemi me e paramendu se çfarë frike i ka  kapur edhe Kryeministrin edhe zëvendësin e tij, pasi që nuk është lehtë që një masë aq e madhe e njerëzve të vijë para zyrës tënde dhe të të kërkojë dorëheqjen  tënde, dhe se ti prapë sillesh që nuk po ndodhë asgjë”, tha Mushkolaj.