Departamenti Amerikan i Mbrojtjes ka publikuar imazhe ajrore të bazës ajrore të Shayrat afër qytetit sirian, Homs.

Amerika Nis Sulmet Ajrore Ndaj Forcave të Assad-it

59 raketa të tipit Tomahawk janë hedhur nga dy anije amerikane në detin Mesdhe. Ushtria siriane tha se gjashtë persona kanë vdekur si pasojë e këtyre sulmeve.

Ky është sulmi i parë ushtarak amerikan kundër forcave të komanduara nga Presidenti i Sirisë, Bashar al Assad.

Duke folur nga prona e tij në Mar-a-Lago në Florida, Presidenti amerikan Donald Trump, e quajti Assad-in “diktator”, i cili “ka lëshuar një sulm të tmerrshëm kimik ndaj civilëve të pafajshëm”.

Trump tha se ka vepruar në “interes vital të sigurisë” së Amerikës për ta parandaluar përdorimin e armëve kimike.

“Sot u bëj thirrje të gjitha shteteve të civilizuara që të na bashkohen në kërkesën për t’i dhënë fund kësaj masakre dhe gjakderdhjes në Siri dhe gjithashtu për ta ndalur terrorizmin e të gjitha llojeve”, citon BBC Presidentin Trump.

Rusia, që e përkrah Assad-in, ka dënuar këto sulme.

Dmitry Peskov, zëdhënës i Presidentit rus Vladimir Putin, e cilësoi sulmin se “një akt agresioni kundër një shteti sovran”.

Sulmi që nisi në mëngjes vjen vetëm dy ditë pasi shumë persona, përfshirë edhe fëmijë, vdiqën në sulmin ku dyshohet se u përdorën armë kimike në qytetin Khan Sheikhoun në krahinën Idlib.