Ambasadorja Gjermane: Kosovarët Emigrojnë Pasi Mungojnë Mundësitë e Punësimit

Në një tryezë për tregun e punës dhe migrimin të organizuar nga GIZ, Ambasadorja Viets, u shpreh se interesimi si Kosova ashtu edhe Gjermania kanë interes të përbashkët për të krijuar kuadro të kualifikuara për punësim, trajnim dhe re-integrim.

“Këtë vit kemi pasur 1560 kosovarë që kanë lëshuar vendin e tyre çdo ditë dhe arsye për këtë janë mungesa e perspektives dhe e mundësive të punësimit”, tha ajo.

Ambasadorja përmendi dhe faktin që çdo vit 20 mijë të rinj kosovarë hyjnë në tregun e punës dhe se nuk ka mjaftueshëm mundësi për t’u punësuar të gjithë. Andaj migrimi legal, sipas saj, bëhet opsion që këta të rinj të kenë mundësi trajnimi, studimi por edhe punësimi në Gjermani.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arben Abrashi, tha se Qeveria e Kosovës e pranon me kënaqësi njoftimin e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale të Gjermanisë për ngritjen apo përmirësimin e mundësive të punësimit të shpejtë të kosovarëve në Gjermani nga viti 2016.

Ai po ashtu tha se migrimi masiv i filluar në vitin 2014 e kishte gjetur Qeverinë të papërgatitur.

“Pas një numri rekord kosovarësh që kërkuan azil në Gjermani prej 10 mijë vetash, në mars të këtij viti ky numër është zvogëluar në 600 sosh”, tha ai.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, përmendi aftësimin profesional të të rinjve si mundësi e punësimit të tyre më të lehtë në tregun kosovar por edhe në Evropë.

“55% të shkollave janë profesionale dhe ne tentojmë që ta rrisim numrin e tyre, sepse punësimi i të rinjve është më i lehtë me anë të aftësimit të tyre profesional”, tha ai.

Po ashtu ministri tha se kanë zgjedhur modelin e arsimit profesional gjerman pasi që sipas tyre është modeli i cili i përshtatet nevojave dhe realitetit të ekonomisë së Kosovës e cila ende heziton të investojë në aftësimin profesional.