Ambasadori Norvegjez: Emërimet e Bordeve nuk Janë Politike

Ambasadori norvegjez Ian Braathu tha për KALLXO.com se emërimet në borde janë bërë nga shumica në Kuvend.

“Përderisa bordet emërohen nga shumica parlamentare, atëherë emërimi i tyre nuk mund të jetë politik,” tha Braathu.

Të njëjtën e tha edhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi.

Braathu e Abrashi u bënë bashkë në aktivitetin e trajnimit të të rinjve për teknologji informative.

Dje në Kuvendin e Kosovës u bënë emërime në bordet e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë dhe Autoritetin rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP). Në bordin e ZRrE-së u zgjodhën edhe Arsim Janova e Qemajl Mustafa.

I pari ishte zëvendësministër i Drejtësisë dhe anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërsa i dyri ish-kryetar i Gjilanit i kandiduar nga PDK-ja.

Braathu foli edhe për situatën e tanishme politike në Kosovë duke thënë zgjidhja e vetme duhet të arrihet përmes dialogut politik.

Ai tha se opozita duhet të protestojë në Kuvend përmes kundërshtimeve dhe përmes kritikave dhe jo duke përdorur mjete të tjera dhe se nuk është rruga, vendi ku opozita duhet t’i shprehë pakënaqësitë.

“Kemi 31 deputetë të opozitës dhe kemi 120 ulëse në Kuvend dhe kjo është matematika,” shtoi Braathu.

Pyetjes së shtruar nga KALLXO.com se a do ishte zgjidhje nëse Kosova do të tërhiqej nga marrëveshja për asociacionin e nënshkruar në gusht të këtij viti, ambasadori norvegjez iu përgjigj “ende nuk kemi pasur rastin që ta dëgjojmë Kryeministrin duke folur në Kuvend përkundër tentimeve të tij dhe të na sqarojë më shumë lidhur me këtë”.

Ambasadori norvegjez vlerësoi edhe miratimin e buxhetit në seancën e djeshme të Kuvendit. Tha se “Kosova ka obligime ndaj FMN-së dhe miratimi i tij është i domosdoshëm”.

Edhe ministri Abrashi foli për ngjarjet e ditës së djeshme duke thënë se janë sjellje të opozitës të cilat nuk po i bëjnë mirë vendit.

“Po t’i largohemi nivelit politik, atëherë sjellja e opozitës ka pasur efekt negativ ndaj Kosovës, sepse ka pasur ratifikim të marrëveshjeve prej të cilave Kosova ka përfituar fond,” tha Abrashi.