Ambasadori Kosnett: ShBA-ja nuk e ka shkruar skenarin për korrigjim të kufijve

Ambasadori i ri amerikan në Kosovë, Philip Kosnett,  ka komentuar idenë e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për korrigjim të kufijve si pjesë e dialogut.

“Mendoj se disa njerëz kanë keqkuptuar që SHBA-ja e ka shtyrë Kosovën për një lëvizje të kufirit apo shkëmbim të territorit. ShBA-ja nuk ka ndonjë paragjykim se çka mund të përfshijë një marrëveshje gjithëpërfshirëse nga dialogu. Mund të jetë që të dy palët të vendosin për të bërë një rregullim të kufirit. Sërish, dëshiroj ta theksoj se qeveria ime nuk po e shtynë për këtë gjë.”, tha Kosnett në një intervistë për “RTK”

Ai shtoi se temë e diskutimit në dialog nuk duhet të jetë vetëm kufiri por edhe çështje të tjera.

“Mendoj se një pjesë e madhe e diskutimit në dialog është përqendruar në këtë. Mendoj se diskutimi për kufirin është vetëm një aspekt i një game të gjerë të diskutimeve që duhet të mbahen ndërmjet dy vendeve, që gjithashtu duhet të prekë bashkëpunimin ekonomik, sigurinë, kulturën, edukimin, drejtësinë, sidomos drejtësinë – një gamë të gjerë të çështjeve për të cilat duhet të flasin të dy qeveritë dhe është me rëndësi që të mos mbërthehen vetëm në një aspekt të problemit”, tha Kosnett.

Kosnett ka theksuar se ShBA gjithmonë do ta mbështesë Kosovën.

“Mendoj se është me rëndësi të theksojmë se jemi të gatshëm për t’i mbështetur palët për të ardhur te një përmbyllje e qëndrueshme, e leverdishme për të dy palët, por nuk jemi ne duke e shkruar skenarin”, tha ai.

https://kallxo.com/ambasadori-i-ri-i-shba-se-mberrin-ne-kosove/