Foto: Kallxo.com

Ambasadori Kosnett inkurajon nxënësit kosovarë për studime në Amerikë

Nxënësja Alma Pajaziti kishte marrë rrugën nga Komuna e Vitisë që të vijë sot në Prishtinë.

Ajo, bashkë me bashkëmoshatarët e saj nga Shkolla e Artit erdhën në Panairin e Universiteteve Amerikane që u mbajt në Fakultetin e Edukimit.

“Nuk pati çka dashta, por prapë më pëlqyen disa drejtime. Unë kam dëshirë që të shkoj në Amerikë të studioj në fushën e Arit Figurativ”, thotë Alma që tani shkon në klasën e dymbëdhjetë.

Bashkë me të kishin ardhur edhe Idrin Mullaidrizi dhe Imer Kadriu nga Komuna e Gjilanit.

“Ka pasur mundësi të mira dhe fakultete të ndryshme. Pati edhe bursa me 30 për qind, 50 për qind. I pash për afër edhe disa për Art, disa universitete, ka pasur shumë mundësi të mira. Disa i patën çmimet shumë të shtrenjta po disa me çmime më të pranueshme”, tha për KALLXO.com, Idrin Mullaidrizi.

Foto: Kallxo.com

Synime që të shkojë në Amerikë për të studiuar ka edhe i riu tjetër gjilanas, Imer Kadriu.

“Kanë ofruar disa bursa shumë të mira. Unë personalisht jam I interesuar të shkoj të studio në Amerikë”, tha ai.

Për vizitë në Panairin “Education USA” erdhi edhe Ambasadori i ShBA-së në Prishtinë, Philip S. Kosnett. Ai i ftoi të rinjtë kosovarë që të studiojnë në Amerikë.

“Është kënaqësi e madhe që jam në panairin e edukimit ku kemi gjithë ata përfaqësues të universiteteve të ndryshme amerikane. Është një mundësi shumë ë mirë të studioni dhe të transferoni studimet, është ngazëlluese që i kemi më shumë se 1000 studentë dhe pritet që të bashkohen mbi 1 milion studentë të huaj dhe kjo tregon për lidhjen e fortë të shteteve të bashkuara të Amerikës dhe Kosovës”, tha Kosnett.

Foto: Kallxo.com

Drita Syla, menaxhere e programeve në “American Advising Center”, tha se në panair kanë qenë 13 përfaqësues të universiteteve amerikane.

“I kemi pasur 13 përfaqësues të universiteteve të Amerikës, që kanë ardhur t’i shpalosin programet e studimeve dhe bursat që ofrojnë. Bursat janë të pjesshme dhe të plota, varet prej programit”, tha ajo për KALLXO.com.

Tutje, Syla tha se janë të kënaqur me pjesëmarrjen e nxënësve dhe studentëve.

Foto: Kallxo.com

“Kemi bashkëpunuar me shkolla dhe drejtori të arsimit nëpër komuna, dhe jemi të kënaqur me pjesëmarrjen e nxënësve në këtë panair”, u shpreh ajo.

Panairi i Universiteteve Amerikane, i cili organizohet për herë të katërt në Kosovë, ka qenë i hapur vetëm sot nga ora 14:30 deri në ora 16:30 në Fakultetin e Edukimit në Universitetin e Prishtinës.