Foto: Kallxo.com

Ambasadori i Zvicrës: Nuk është normale ne ta financojmë ujësjellësin, e ju t’i financoni veteranët e rrejshëm

Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet është treguar i ashpër sot në Skenderaj.

Ai ka përmendur numrin e veteranëve, duke thënë që nuk duhet paguar veteranët e rrejshëm, e pastaj të tjerët të investojnë në projekte qenësore për qytetarët.

Nga Skenderaj ai foli edhe për shërbyesit civil në Kosovë, tha se numri i tyre është tri herë më i madh se në vendet e rajonit.

Ambasadori Lebet, foli kështu në përurimin e ujësjellësit në disa fshatra të Skenderajt, duke thënë se nuk është normale që qeveria prej nga vjen ai të financojë projekte të tilla, ngase sipas tij, Kosova ka para, por nuk duhet keqpërdorur.

Ai ka thënë se vlera e projektit të ujësjellësit kushton 2.5 përqind e vlerës së ndarë për pensionet e veteranëve, këtu ai ka thënë se ka shumë veteranë të rrejshëm që marrin pensione pa meritë.

“Nuk është normale që qeveria e Zvicrës të financojë ujësjellësin këtu, sepse e dimë që ekzistojnë të holla edhe në këtë vend. E dimë se vlera e këtij projekti është përafërsisht 2.5 përqind e vlerës për veteranët e luftës. Por, veteranët e vërtetë të cilët kanë luftuar për lirinë e këtij vendi. Nuk jemi të lumtur të shohim nëse njerëzit marrin këtë status pa ndonjë të drejtë. Do të thotë, nëse të hollat ruhen jo për të financuar veteranët e rrejshëm do të ndërtojmë shumë më shumë sisteme të ujësjellësit. Është shumë irituese të shohim në këtë vend ku ka më shumë shërbyes civil tri herë më tepër sesa në vendet e rajonit. Mjaft është bërë për të përmirësuar administratën publike, mirëpo ende duhet të punohet në ketë drejtim”, tha ai.

Kësaj deklarate të ambasadorit i ka reaguar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili ka thënë se në vendin ku po përurohet ujësjellësi, ka shumë luftëtarë të vërtetë, të cilët kanë qenë në UÇK.

“Këtu ku sot do të bëhet përurimi i këtij investimi i cili është shumë i madh, i nderuari ambasador ka pasur luftëtarë të cilët kanë qenë vetëm luftëtarë të vërtetë të UÇK-së. Ka shumë heronj kjo zonë, por ka edhe njerëz të cilët japin kontribut edhe sot paqes“, tha Kadri Veseli.

Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, ka thënë se nga ky sistem i ujësjellësit do të përfitojnë 10 mijë banorë, nga 10 fshatra të Skenderaj, përfshirë Qubrelin, Kllodernicën, Kopiliqin e Epërm, Kopiliqin e Poshtëm, Kostërcin, Rakinicën, Turiqecin, Tushilën, Vajnikun dhe një pjesë të fshatit Kërnicë.

Ky projekt kap vlerën prej 1 milion e 230 mijë euro.

Jashari tha se shumë shpejt do të nisë projekti tjetër i ngjashëm, faza e VI, me të njëjtit donatorë, nga i cili do të përfitojnë fshatrat: Açarevë, Abri e Poshtme, Likoc, Llaushë, Makërmal, Marinë, Murgë, Plluzhinë, Rezallë, Ticë e Izbicë.