Studentë në ligjëratë - Foto: REL/Shutterstock

Ambasadori britanik dhe ai gjerman mbështesin vendimet e Këshillit Shtetëror të Cilësisë

Ambasadori britanik dhe ai gjerman në Kosovë mbështesin Këshillin Shtetëror të Cilësisë në vendimet për tërheqjen dhe refuzimin e programeve për akreditim.

Vendimet e KShC-së për tërheqjen dhe refuzimin e akreditimit të disa programeve studimore kanë ngjallur polemika të shumta, veçanërisht mes rektorëve të universiteteve publike dhe anëtarëve të Këshillit.

Ambasadori i Britanisë në Kosovë, Ruairi O’Connell, ka thënë se e mbështet qëndrimin e shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, rreth Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

O’Connell ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se Bashkimi Europian ka investuar miliona për përmirësimin e arsimit në Kosovë.

“Kjo tregon se sa e vështirë është që të përmirësohet arsimi kur vihen në rrezik interesat e caktuara. Kam dëgjuar se Agjencia e Akreditimit tani po ndërmerr hapa për të siguruar arsimin cilësor për studentët e Kosovës duke tërhequr akreditimin nga programet që nuk i përmbushin standardet akademike por ofrojnë vetëm mundësi për përfitim.”, ka thënë O’Connell.

Ai tutje ka shtuar se duhet të përkrahen përpjekjet për tërheqjen e akreditimit nga programet e dobëta, mirëpo sipas ambasadorit britanik në Kosovë, ndryshimi pozitiv shpeshherë kundërshtohet nga ata që përfitojnë nga gjendja ekzistuese.

“Të rinjtë e Kosovës janë e ardhmja e Kosovës dhe jo lëndë e parë materiali që të përdoren për përfitim”, ka theksuar O’Connell.

https://kallxo.com/edhe-ambasadori-amerikan-mbeshtet-keshillin-shteteror-te-cilesise/

Ngjashëm ka deklaruar edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt i cili ka theksuar se ‘duhet të ketë verifikim cilësor dhe të pavarur për institucionet e arsimit të lartë në Kosovë’.

“Përqendrimi duhet të jetë në krijimin e standardeve më të mira për të rinjtë e Kosovës dhe perspektivën e tyre. Kosova mund të bëjë më shumë.”, ka thënë ambasadori Heldt, përmes llogarisë së tij në Twitter.

https://kallxo.com/apostolova-kunder-rektoreve-mbeshtet-agjencine-e-akreditimit/

Edhe ambasadori i Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett sot ka deklaruar se mbështet Shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova në deklaratën e saj se ‘politika duhet t’i rrijë larg arsimit”.

Apostolova dhe Kosnett kishin deklaruar se Agjencia e Kosovës për Akreditim duhet të punojë e pavarur.