Lansimi i rregullores për krijimin e pikave kombëtare të kontaktit, Foto: Kallxo.com

Ambasadori Austriak: Do ta Ndihmoj Kosovën

Ministria e Arsimit zyrtarisht ka lansuar Rregulloren për definimin dhe funksionalizimin e pikave kombëtare të kontaktit për projektin HORIZON 2020.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi në lansimin e kësaj rregulloreje tha se arsimi i lartë në Kosovë duhet të mos mbetet vetëm te mësimdhënia, po të shkojë më tutje te hulumtimi që është shumë i rëndësishëm.

“MASHT është duke bërë përpjekje që në arsimin e lartë të ketë një reformë. Tani MASHT është duke e riproceduar Ligjin për arsimin e lartë ku do të ketë qasje më ndryshe për kërkimet shkencore dhe hulumtimet, pra jemi duke bërë përpjekje për të përmirësuar infrastrukturën ligjore. Heras është një ndër projektet kryesore që e mbështet MASHT në këtë aspekt. Me Heras e kemi nënshkruar një rregullore që do ta bëjë më të lehtë aplikimin në H2020. Të rinjve tanë në këtë aspekt po u hapet një horizont i ri”, ka potencuar Bytyqi.

Projekti “HERAS – Arsimi i Lartë, Hulumtimi dhe Shkencat e Aplikuara” kontribuon në funksionimin më të mirë e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në Kosovë.

Projekti ‘HERAS’ është implementuar që nga viti 2017 dhe do të zgjasë deri në vitin 2019.

Ky projekt është financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT).

Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Gernot Phandler ka kujtuar se një vit më parë ka filluar ky projekt dhe se tani është i pranishëm në fazën tjetër të projektit kur po krijohen pikat kombëtare të kontaktit.

“Do ta ndihmoj Kosovën që të tregojë rezultate më të mira në fushën e kërkimit. Austria ka shumë vite që është angazhuar për përmirësimin e arsimit. Jemi angazhuar se jemi të bindur që arsimi më i mirë zvogëlon papunësinë dhe jetën e të rinjve që vijojnë mësimin në universitetet e Kosovës. Projekti ‘Heras’ ka kushtuar 1.8 milion”, ka thënë Pfandler.

Ai ka shpjeguar më tej projekti H2020 është programi më i madh në Europë, i cili është program 7 vjeçar dhe se për këtë program janë ndarë 80 miliardë euro.

“Kosova duhet të bëhet më shumë pjesë e këtij programi. Kosova duhet të konkurrojë me shtetet e tjera për të përfituar. Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në krijimin e rregullores për të krijuar pikat kombëtare të kontaktit. Projekti ‘Heras’ ka bërë punë të mirë për të ndihmuar MASHT-in për të krijuar mekanizma për zhvillimin e arsimit të lartë”, ka potencuar Pfandler.

Qamile Sinanaj, kryesuese e Bashkëpunimit Ndërkombëtar në Departamentin e Edukimit të Lartë dhe Shkencës ka shpjeguar për të pranishmit se në Kosovë do të krijohen 10 pika kombëtare të kontaktit dhe se ky sistem është i decentralizuar.

Gorazd Weiss, ekspert i lartë dhe menaxher i projektit në Qendrën Inovacion Social ka shpjeguar se pikat e kontaktit organizohen dhe përputhen me politikat kombëtare të vendit.

“Për të pasur pikat e kontaktit duhet të ketë një plan veprimi. Informatat duhet të jenë të qasshme për të gjithë hisedarët, siç janë shoqëria civile, universitetet e ndryshme, industritë, kompanitë, pra jo vetëm për universitetet, të gjitha organizatat që kontribuojnë në fuqizimin e kërkimit janë të mirëseardhura në H2020”, ka potencuar Weiss.

Po ashtu Weiss ka njoftuar se për shkak se Kosova është vend i vogël dhe tani për tani e ka statusin e vendit të tretë, sistemi i pikave të kontaktit është themeluar në bazë të rregullores dhe në bazë të ekspertëve është mjaft i përshtatshëm për Kosovën.