Ambasadori amerikan: Votimi për FSK-në, historik

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, e ka quajtur ‘historik’ votimin e nesërm të tri ligjeve me të cilat Kuvendi i Kosovës do ta nisë procesin e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Në një deklaratë të postuar të enjten në Twitter, Kosnett përsëriti se SHBA do ta mbështesë FSK-në në zhvillimin e saj profesional.

“Votimi i nesërm për transicionin e FSK-së është historik për Kosovën. SHBA do ta mbështesë zhvillmin profesional dhe evolucionin organizativ të FSK-së, e cila duhet të luajë një rol pozitiv për Kosovën dhe rajonin, duke reflektuar karakterin shumëetnik të vendit dhe përkushtimin e popullit të Kosovës për paqe”, tha ambasadori amerikan.

 

“Seanca e nesërme e Kuvendit dhe ceremonia e FSK-së duhet të jenë raste për reflektim solemn dhe ripërkushtim për paqe, stabilitet e prosperitet për Kosovën dhe fqinjët e saj. Tani është koha për të gjithë liderët dhe faktorët ta fokusojnë energjinë në dialog”, tha ai.